25 Dhjetor 2024

“Trepça” rrit prodhimin

Prishtinë, 10 nëntor - Miniera e “Trepçës”, e cila gjatë fushatës parazgjedhore më së shumi është zënë në gojë pothuajse nga të gjithë liderët e subjekteve politike, ka më tepër se 16 muaj që ka mbetur me ushtrues të detyrës së drejtorit.

Halil Çelaj, i cili është emëruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në krye të menaxhmentit të “Trepçës”, pas protestave të minatorëve, ka arritur të paktën që ta stabilizojë situatën dhe të krijojë kushte të mira për punë.

Por, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e “Trepçës”, jo vetëm që e kanë shtuar pakënaqësinë dhe mllefin te minatorët, por kanë ndikuar edhe në punën e Çelajt, i cili shumë herë ka kërkuar që në vend të privatizimit “Trepça” të riorganizohet dhe të ristrukturohet.

“Riorganizimi do ta ringjallte zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Për batimi e projektit të riorganizimi dhe ristrukturimit ka kapacitete të mjaftueshme”, thotë Çelaj.

Çelaj, në përpjekjet e tij për të mos lejuar privatizimin e “Trepçës” ka përkrahjen absolute të minatorëve dhe të sindikatës, por jo edhe të qeverisë së Kosovës.

Minatorët janë jashtëzakonisht të zhgënjyer në Behgjet Pacollin, i cili sipas tyre po tenton t’i fut duart në “Trepçë”, me një program të tij, i cili nuk është shumë i qartë, as për minatorët e as për menaxhmentin.

Gjithashtu, minatorët dhe menaxhmenti e kanë humbur besimin edhe në AKP-në, e cila po e zvarrit procesin e kalimit të “Trepçës” te qeveria kosovare, e që për minatorët është e vetmja alternativë për ta zhvilluar “Trepçën” dhe për ta sjellë atë në gjendjen e përparme, kur ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj në ish-Jugosllavi.

Minatorët, posaçërisht sindikalistët akoma e ndjejnë mungesën e ish-drejtorit Ferat Shala, i cili siç thonë ata, është larguar nga kreu i menaxhmentit të “Trepçës”, vetëm për faktin se nuk e ka lejuar privatizimin e minierës. Por, ushtruesi i detyrës së minierës, Halil Çelaj, thotë se edhe pas largimit të Shalës, është bërë punë e mirë.

“Ne kemi bërë dhe jemi duke bërë punë jashtëzakonisht të mirë, dhe kjo punë bëhet falë minatorëve. Prodhimi në ‘Trepçë’ është rritur për 10 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për minatorët janë krijuar kushte të mira të punës si dhe janë marrë masa mbrojtëse”, thotë Çelaj, i cili siguron se minatorët me shumë përgjegjësi po i kryejnë pjesën e vet të detyrave dhe obligimeve.

Ai nuk e përjashton mundësinë e riorganizimit dhe ristrukturimit me partneritetin publiko-privat.

Në minierën “Trepça”, aktualisht janë të punësuar 1505 punëtorë, apo sa gjyma më pak që ka kombinati “Trepça”, në veri të Mitrovicës. Në pjesën veriore të Trepçës janë të punësuar 3460 punëtorë, ndërsa realizon të hyra tri herë më pak se sa pjesa në jug.

Kombinati “Trepça”, para lufte, më saktësisht në vitet e 80-ta kishte 26 mijë të punësuar.

I gjithë koncentrati që prodhohet në “Trepçë”, sipas Çelajt është i kontraktuar me një konzorcium nga Britania dhe nga Dubai. Pas përfundimit të luftës, ose gjatë viteve 2000-2004, “Trepça” nuk ka prodhuar fare, por vetëm janë bërë hulumtime dhe përgatitje e punishteve për prodhim, ndërsa në vitin 2005, miniera ka filluar me prodhimin e xehes se plumbit e zinkut dhe përpunimin deri në koncentrat, si finalizim për treg.

“Trepça’ ka resurse humane të mjaftueshme për të vazhduar me punë, kemi ekspertë të mjaftueshëm dhe nuk kemi nevojë për ekspertë të huaj”, thotë drejtori Çelaj, i cili precizon se aktualisht punojnë miniera në Stantërg dhe ajo në Artanë.

Një vit më përpara (2012), “Trepça” nuk ka arritur ta realizojë planin e të hyrave. Nga 22 milionë euro të planifikuara janë realizuar vetëm 14.5 milionë euro, ose 65 për qind e tyre. Ndërsa deri me tani, pohohet se janë realizuar rreth 23 milionë euro të hyra, ndonëse drejtues të “Trepçës” nuk flasin me shifra.

Minatorët ndërkaq, por edhe vetë menaxhmenti i “Trepçës” janë në pritje të ligjit të ri për “Trepçën”, i cili do të duhej t’i hapte rrugë zhvillimit. Çështja e opsionit të riorganizimit me partneritet publiko-privat ende nuk është vendosur nga qeveria dhe kjo mbase do të bëhet pas miratimit të ligjit për “Trepçën”.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)