Trepça nuk privatizohet, por duhet ristrukturuar
Prishtinë, 3 korrik - Idetë për ringjalljen e gjigandit ekonomik të Kosovës të minierave dhe mineraleve Trepça janë prezantuar të martën nga Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se kjo ndërmarrje nuk duhet privatizuar, por duhet të fillojë një proces ristrukturimi dhe riorganizimi që mundëson rikthimin e këtij gjiganti në shërbim të ekonomisë së Kosovës.
Para një prezence të gjerë të publikut, janë propozuar alternativa, të cilat kanë për qëllim ristrukturimin e Trepçës, ndarjen e aseteve, thelbësore dhe jo thelbësore si dhe vendosjen e Qeverisë në pozitë drejtuese duke i mundësuar kështu tërheqjen e investitorëve ndërkombëtar, në zhvillimin e potencialeve fitimprurëse.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka deklaruar se gjiganti Trepça ndodhet në një status quo dhe Qeveria është e thirrur, ashtu si dhe Kuvendi që të valorizojnë dhe tia kthejnë këtë gjigant qytetarëve.
Ministri Ismajli theksoi se kompleksi Trepça ka kaluar nëpër kohë të vështira dhe mbetet problem politik, financiar dhe i kërkesave ndaj kësaj ndërmarrje.
Në këtë dëgjim publik, Zëvendëskryeministri i parë, Behxhet Pacolli prezantoi vizionin dhe alternativën më të mirë për të ecur më tutje me gjigantin ekonomik Trepça.
Ky opsion sipas tij është një zgjidhje e mundshme dhe me benefite për qytetarët e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj. Është opsioni që më së miri valorizon gjigantin Trepça, dhe mbron interesat e vendit, qytetarëve dhe punëtorëve të saj duke mos marrë obligime që do e ngarkonin buxhetin e Kosovës në asnjë mënyrë në njërën anë dhe duke e menaxhuar më së miri çështjen e kërkesave të kreditorëve dhe financimit të ri ngritjes së Trepçës.
Aktualisht Trepça është në procedurë të riorganizimit, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërkohë që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë ndikim në rrjedhën dhe menaxhimin e saj.
Gjatë debatit , Qeveria e Kosovës ka bërë thirrje për publikun e gjerë dhe ekspertët vendorë që të prezantojnë idetë e tyre për ristrukturimin dhe riorganizimin e Trepçës, të cilat propozime do të pranohen, brenda një afati një mujor, gjatë muajit korrik të këtij viti.
Debati Publik u organizua nga Ministria për Zhvillim Ekonomik, në bashkëpunim me Zyrën e Zv.Kryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe Zv.Kryeministres Mimoza Kusari Lila, ku ishin të pranishëm edhe diplomatë të huaj në Prishtinë, deputetë, përfaqësues të Bankës Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare dhe financiare, shoqëria civile dhe biznesi vendor dhe ndërkombëtarë.