Trepça nënshkrun memorandum me Komunën e Mitrovicës
Prishtinë, 13 qershor - Sot u mbajt konferenca e donatorëve për projektet mjedisore të Trepçës dhe me këtë rast u nënshkrua edhe Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet MMPH, KK Mitrovicës dhe ndërmarrjes në administrim të AKPsë, Trepçës.
Në bazë të këtij Memorandumi është arritur marrëveshja për krijimin e kushteve me qëllim të implementimit të projekteve mjedisore të Trepçës dhe krijimit të kornizës për përkrahje financiare dhe definimin e strukturave bashkëfinancuese në mes palëve.
Me rastin e nënshkrimit të Memorandumit, Ministri Gashi falenderoi donatorët dhe tha se Ministria e Mjedisit po mundohet të zbatojë sistemet për përmirësimin e cilësisë së mjedisit në të gjithë sektorët.
Ai shtoi se Trepca si një gjigant që ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit na ka lënë mbrapa një sërë problemesh mjedisore, mirëpo me angazhimin tonë dhe mbështetjen e donatorëve është arritë që sado pakë të përmirësohet gjendja e mjedisit në ato zona ku janë zhvilluar aktivitetet e saj.
Menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Ferat Shala tha se me investimin fillestar prej 50 mijë eurosh po fillon një epokë e re për reduktimin e sfidave të kësaj ndërmarrjeje dhe konsideroi se kjo shumë është vetëm simbolika e parë e Trepçës në angazhimin e saj për mjedis më të pastër.
Projektet mjedisore të Trepçës që dalin nga konferenca e donatorëve të muajit shtator të vitit të kaluar kryesisht kanë të bëjnë me menaxhimin e mbetjeve të mineraleve të rënda. Gjatë konferencës u bë edhe prezantimi i hapave dhe projekteve me prioritet të lartë që do të fillojnë së shpejti nga kjo ndërmarrje.
Ndër projektet kryesore të zgjedhura nga grupi punues i përbërë nga përfaqësues të Trepçës, MMPH, MzhE, UNDP dhe KK Mitrovicës u konkludua se mbrojtja e lumenjëve nga ndotjet industriale, ndotjet e ujërave të zeza dhe rehabilitimi i deponive industriale të Trepçës janë probleme multidimensionale dhe kërkojnë interevenim të menjëhershëm.
Më gjerësisht projektet përfshijnë Ndërtimin e impiantit për eliminin e ujërave acidikë në minierën e Artanës, Largimin e materialeve radioaktive në Mitrovicë, Financimin e një projekti fizibiliteti për deponitë industriale, Rikultivimin e deponisë së Kelmendit, Mbylljen e deponive në Gornipol dhe Zhitkovc, Përfundimin e Fazës së dytë të rikultivimit të deponisë së Graqanicës, Mbulimin e deponisë në zonën e Artanës, Rehabilitimin e tokave bujqësore dhe hapësirave publike në Mitrovicë dhe Financimin e kampanjës vetëdijësuese.