Trepça nënshkruan marrëveshje me 14 Oktobar
Prishtinë, 10 gusht - Kombinati Trepça në veri të Mitrovicës dhe Industria e Makinave dhe e komponentëve 14 Oktobar e Kryshevcit të Serbisë, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, të premten.
Me marrëveshje është planifikuar angazhimi i ndërmarrjes nga Krushevci për mirëmbajtje të mekanizmit të Trepçës si dhe investime të përbashkëta.
Sipas nënshkruesve të marrëveshjes, drejtorit të përgjithshëm të Trepçës, Jovan Dinkiq dhe drejtorit të IMK 14 Oktobar, Dragi Nestoroviq, marrëveshja paraqet kornizën për bashkëpunim të dy ndërmarrjeve dhe në të janë theksuar qëllimet dhe interesat për punë të caktuara, të cilat para së gjithash lidhen me mirëmbajtjen e mekanizmit të Trepçës nga programi i ndërmarrjes nga Kryshevci, pastaj remonti i makinave dhe aranzhmani: e vjetra për të re.
Drejtori i përgjithshëm i Trepçës, Jovan Dinkiq, tha se me marrëveshje është paraparë edhe bashkëpunimi në planin e investimeve.
Pres që të fillohet edhe me realizimin e mëtutjeshëm të marrëveshjes sonë me kompaninë amerikane në planin e investimeve në Trepçë dhe në kuadër të saj kemi hartuar edhe projekte, kryesisht për furnizimin me teknologji të re, e bazuar në atë se 14 Oktobar është prodhues i njohur, besoj se marrëveshja do të ketë rëndësi të caktuar financiare, tha Dinkiq, i cili shtoi se marrëveshja është rezultat i interesave ekonomike dhe është e mirë edhe për faktin se tani janë lidhur mes vete dy sisteme të mëdha, njëri në Serbinë qendrore, e tjetri në Kosovë, gjë që do ta ngjallë edhe ekonominë lokale.
Në këto momente Trepça ka nevojë për disa punë të cilat dalin nga programi prodhues i 14 Oktobar dhe ne vetëm sa e kemi konkretizuar bashkëpunimin. Ne do ti vizitojnë repartet e fabrikës do ti shikojmë mundësitë tona dhe do ta definojmë bashkëpunimin për të ardhmen, ndërsa për detajet do të merremi vesh sipas nevojave, tha ndërkaq, Dragi Nestoroviq, drejtor i IMK 14 Oktobar.
Ai shtoi se me këtë marrëveshje apelohet edhe të ndërmarrjet tjera që ta ripërtërijnë bashkëpunimin me Industrinë e Makinave nga Kryshevci.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, ka prezantuar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Aleksandër Vulin, i cili tha se marrëveshja përbën dëshmi, se në Kosovë nuk banojnë vetëm historia dhe politika, veç edhe vlerat tjera, siç janë ekonomia dhe marrëveshjet e rëndësisë së madhe.
Trepça është kombinat nga hapësirat e Kosovës dhe është përcaktuar që mjetet e veta ti plasojë në hapësirat e Serbisë qendrore. Nuk është Kosova ajo që gjithmonë kërkon dhe pret diçka, kjo është dëshmi se edhe Kosova është pjesë e rëndësishme ekonomike e shtetit të Serbisë, e cila mund ti lëvizë edhe pjesët tjera të territorit, tha Vulin.
Në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes merrte pjesë edhe kryebashkiaku i Kryshevcit, Bratisllav Gashiq, i cili përkujtoi se në muajin e fundit janë nënshkruar dy marrëveshje të mëdha, njëra me Trepçën dhe tjetra me Kollubaren, në vlerë prej 30 milionë euro në vit.
/Zëri/