24 Dhjetor 2024

Trepça lidh kontratë me kompani ilegale

Prishtinë, 8 korrik - Parregullsi të shumta ka evidentuar zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës, gjatë auditimit të pasqyrave financiare për minierat e “Trepçës”, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

Auditori ka gjetur se menaxhmenti i “Trepçës” veri gjatë vitit 2012 ka lidhur kontratë me operatorë ilegalë për ofrim të shërbimeve të telefonisë, internetit dhe furnizimit me energji elektrike.

“Për shpenzimet e energjisë elektrike ‘Trepça’ në veri faturohet nga kompania ‘Elektrokosmet’ nga Serbia, por kjo kompani nuk ka licencë për operim në Kosovë. Në të njëjtën kohë ‘Trepça’ faturohet rregullisht nga Korporata Energjetike e Kosovës që është furnizuesi i vetëm publik i licencuar në Kosovë.

Sipas KEK-ut faturimi për vitin 2012 ishte 352,344 euro. Mirëpo, zyrtarët e ‘Trepçës’ pohuan se nuk kanë pranuar fatura nga KEK-u dhe nuk kanë kryer asnjë pagesë ndaj KEK-ut, ndërsa shpenzimin e energjisë e ka njohur në emër të ‘Elektrokosmetit”, thuhet në raportin e auditorit për këtë kompani.

Më tej thuhet se “Trepça” në veri kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile “Telenor” dhe internetit “DD Computers”.

Po ashtu, sipas auditorit këta operatorë nuk janë operatorë të licencuar nga ART-ja e cila është përgjegjëse për licencimin e ofruesve të shërbimeve të telekomunikacionit në Republikën e Kosovës. “Në këto kontrata ‘Trepça’ është ngarkuar edhe me TVSH prej 18 % sipas ligjeve të Serbisë.

Zyrtarët e ‘Trepçës’ u arsyetuan se për shkak të rrethanave janë të detyruar të kontraktojnë shërbime me këta operatorë, pasi nuk kanë alternativë tjetër”, thuhet më tej në raport. Sipas Auditorit, lidhja e kontratave me operatorë ilegalë rrit rrezikun e pasojave ligjore dhe financiare.

Zyra e Auditorit ka gjetur se menaxhmenti ka shpërblyer me kontrata kompani të papërgjegjshme. Sipas raportit të auditorit, dhënia e objekteve me qira në “Trepçë” bëhet duke shpallur ftesë për ofertim, ku aty përcaktohen edhe kriteret në bazë të të cilave shpallet ofertuesi i suksesshëm, e ku një ndër kriteret ishte që ofertuesit nuk duhet të kenë borxh ndaj “Trepçës”, përndryshe do të konsiderohen ofertues të papërgjegjshëm.

Por, përkundër kësaj, Auditori ka vërejtur dy raste ku “Trepça” ka lidhur kontratë me kompani të cilët në të njëjtën kohë kishin obligim të pashlyer ndaj “Trepçës”.

“Borxhi i tyre kishte rrjedhur nga kontrata paraprake me ‘Trepçën’, pasi që nuk kishte kryer pagesat e qirasë me rregull. Këto dobësi tregojnë se ‘Trepça’ nuk i ka respektuar kriteret e përcaktuara me rastin e ftesës për ofertim. Mosrespektimi i këtyre kritereve është në dëm të buxhetit të ‘Trepçës’ dhe ka rrezik që të favorizohen Operatorët Ekonomikë (OE). Gjithashtu, ka rrezik që këta operatorë të mos paguajnë obligimet”, thuhet në raportin e Auditorit.

Më tej, në raport thuhet se menaxhimi i të hyrave është përcjellë me mangësi prej planifikimit e deri te realizimi dhe raportimi i tyre. Auditori ka konstatuar se kishte mungesë të kontrolleve në arritjen e caqeve të përcaktuara në planifikim dhe në regjistrimet kontabël, e ku dobësitë në menaxhimin e tyre ishin vërejtur në disa nivele.

Sipas auditorit, “Trepça” në jug gjatë vitit 2012 ka planifikuar që të realizojë të hyra në vlerë 21 milionë e 940 mijë euro, ndërsa kishte realizuar të hyra në vlerë 14 milionë e 332 mijë euro.

Po ashtu, gjatë testimit të mostrave auditori ka vërejtur disa regjistrime jo të drejta të cilat nuk paraqesin drejt gjendjen e të hyrave nga qiraja, me këtë edhe rezultatin afarist të ndërmarrjes. Nga testimet e bëra auditori ka gjetur se në tri mostra faturimi nuk është bërë me kohë apo për secilin muaj sipas kushteve në kontratë.

Pagesa e qirasë në vlerë prej 4,686 € e pranuar si avancë nuk ishte njohur si duhet në periudhë kohore, si rrjedhojë njohja e të hyrave nuk ishte e drejtë. Po ashtu, në rastin e kompensimit të borxhit me OE ‘Verona’ ishte bërë pasqyrim i gabuar i gjendjes së llogarive të arkëtuara dhe të paguara. “Mungesa e regjistrimeve të duhura dhe me kohë rrit rrezikun e prezantimit jo të drejtë të të dhënave financiare”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur se te kontrata “Furnizim me sfera dhe shufra për bluarjen e xehes” nuk ishte kërkuar siguria e ekzekutimit në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik. Sipas auditorit, procedurat për këtë kontratë ishin zhvilluar në tri faza, në mini-tenderin e parë në vlerë prej 58,960 euro, ishte kërkuar Siguria e Ekzekutimit.

Ndërsa në mini-tenderin e dytë me vlerë 153,395 euro, dhe mini-tenderin e tretë në vlerë prej 267,921 euro kontrata ishe lidhur në mungesë të Sigurisë se ekzekutimit, edhe pse kjo ishte kërkesë e dosjes së tenderit. “Për mini tenderin e tretë OE kishte vonuar 68 ditë liferimin e mallrave. Si rezultat i kësaj vonese ishte ndërprerë prodhimi për 5 ditë në Flotacionin e Tunelit të Parë”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas auditorit, “Trepça” ka aplikuar penalet për vonesën në liferim, mirëpo dëmet që i janë shkaktuar nga ndërprerja e prodhimit nuk i janë kompensuar si pasojë e mungesës së sigurisë së ekzekutimit, e që rrit rrezikun që kërkesat nuk do të plotësohen nga operatori ekonomik që rezulton me kosto shtesë për “Trepçën”.

Sipas Auditorit Gjeneral të Kosovës gjatë vitit 2012 ”Trepça” ka pasur humbje nga këmbimi valutor në vlerë prej 236 mijë 131 euro. “Vetëm në dy raste të konvertimit të bëra brenda një jave kishte humbur 225,864 euro.

Banka komerciale i dërgon “Trepçës” për çdo kohë kursin e këmbimit por në këtë rast banka nuk i kishte dërguar paraprakisht kursin zyrtar të këmbimit. Ne nuk gjetëm ndonjë arsye pse një vlerë e lartë e mjeteve është këmbyer në kohën kur kursi ishte negativ.

‘Trepça’ nuk ka hartuar ndonjë rregull lidhur me mënyrën dhe kohën e këmbimeve valutore. Andaj ne nuk ishim të kënaqur me shpjegimet e marra nga menaxhmenti”, thuhet në raport. Sipas auditorit, shitjet në valutë të huaj bartin në vete rrezikun e vetvetishëm.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)