Toyota GT86, e shpejtë dhe e sigurt
Tokio, 21 mars - Prodhuesi i njohur i veturave Toyota në fund të vitit 2011 në sallonin e automobilave në Tokio si premierë botërore e prezantoi versionin serik të kompakt automobilit sportiv 2+2 të emërtuar Toyota GT86. Bëhet fjalë për automobilin e prodhuar nga projekti i përbashkët ndërmjet Subaru-s dhe Toyota-s.
Performanca të shkëlqyeshme sportive
Kështu që ky model është binjaku teknik i Subaru BRZ, ndërsa e ka tërheqjen në rrotat e pasme (RWD), ndërsa premierën evropiane e pati në Gjenevë. Toyota GT86 është e gjatë 4.24 dhe e lartë 1.28 metra. E ka shpërndarjen ideale të peshës ndërmjet boshtit të parmë dhe të pasmë në raport 53:47 për qind. Bazuar në të dhënat e ofruara është më se e sigurt që janë të garantuara performancat e shkëlqyeshme sportive.
Për top performanca është përgjegjës edhe pezullimi i McPherson-it, derisa para dhe pas gjenden disqet e frenave për ndalim të sigurt dhe efikas të këtij automobili shumë të shpejt.
Nën kapakun e përparmë të Toyota GT86 gjendet motori i sofistikuar me katër cilindra me benzinë, ai Subaru boxer 2.0, i cili me ndihmën e injektimit të drejtpërdrejtë D-4S dhe kompresionit 12.5:1 zhvillon forcën prej 200 KF me rastin e 7000rr/min, dhe momentin më të madh rrotullues prej 205 Nm me rastin e 6600rr/min.
Në Evropë arrin në vjeshtë
Për transmetimin e fuqisë në rrotat e pasme shfrytëzohet ndërruesi manual me gjashtë shpejtësi. Me pagesën shtesë prej 1550 euro mund të merret ndërruesi automatik me gjashtë shkallë të transmisionit. Prodhimi dhe shitja serike e Toyota GT86 nisi në fillim të këtij viti në Japoni.
Shitja në Evropë e këtij modeli është planifikuar për vjeshtën e vitit 2012, por porositë tashmë kanë filluar të pranohen. Vëllai i tij binjak, Subaru BRZ në Evropë do të fillojë të shitet më herët, gjatë verës së vitit 2012, çmimi i tij është ende i panjohur. Modeli bazë i Toyota GT86 në tregun gjerman do të shitet për 29.990 euro