Thaçi përuron Fabrikën e Auto - pjesëve në Prizren
Pas inaugurimit, kryeministri Hashim Thaçi ka dhënë një deklaratë para mediave, në të cilën ka vlerësuar se bashkëpunimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe biznesit privat, është me rëndësi jetike. Në vazhdim kryeministri ka deklaruar se partneriteti në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe biznesit privat që po ndodh në Kosovë është shembulli më i mirë në rajon dhe është garanci e suksesit.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë: Unë sot vizitova këtë biznes te Koshi Group që është një biznes jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, por edhe për rajonin, një nga modernet në rajon me përmasa evropiane dhe botërore.
Është një bashkë investim i biznesit vendor dhe ndërkombëtar. kjo është jashtëzakonisht me rëndësi për investimet në Kosovë. Kjo tregon se në Kosovë ka klimë, ka atmosferë të sigurt për të investuar. Prandaj, ne si Qeveri do të vazhdojmë vetëm krijimin e kushteve sa më të mira, sa më të përshtatshme për biznesin vendor. Por në të njëjtën kohë do të thellohet ky bashkëpunim me investitorët ndërkombëtar.
Kosova është shtet i ri, i mundësive të mëdha. Tash ne kemi dalur edhe me projektin e ri, me Fondin e Punësimit, me mbi 1.5 miliard euro.
Edhe grupi Kosh, dhe të gjitha grupet e biznesit në Kosovë do të mund të jenë përfituese nga ky Fond, në mënyrë që të rrisin kapacitetet e tyre, të rrisin prodhimet, të rrisin vendet e punës.
Jam optimist dhe kam besim të plotë se ne do të vazhdojmë të marrim vendime të rëndësishme dhe do të bëjmë bum ekonomik, duke krijuar edhe shumë e shumë vende të reja të punës ka thënë kryeministri në fjalën e tij.
Shkamb Koshi, drejtor i firmës Koshi Group LLC, ka thënë se kjo firmë prodhon pjesë për vetura automatike sportive, në materiale kompozite, saktësisht fibrën e karbonit.
Shpresoj që gjërat që duam ti bëjmë, të arrijmë ti realizojmë. Qëllimi ynë është që brenda pesë viteve të rrisim numrin e të punësuarve në këtë fabrikë.