Superbusi që lëviz me shpejtësi deri 250 km në orë
Dubai, 14 prill - Në panairin e turizmit në Dubai, është prezantuar koncepti i autobusit për transportimin e udhëtarëve me shpejtësi të madhe.
Superbus është vepër e inxhinierëve holandezë dhe është zhvilluar në dy vitet e fundit, ndërsa është projektuar si lloj i veçantë i transportit, në të cilin udhëtarët do të ndihen si në superautomobil, pasi është në gjendje të lëviz me shpejtësi deri 250 kilometra në orë.
Superbus-i është i gjatë 15 metra dhe i pranon 23 udhëtarë, dhe i ka tetë dyer në formë të krahëve të pulëbardhës.
E vë në funksion elektromotori me fuqi 300 kilovatë (rreth 400 KF), i cili mund të arrijë edhe 600 kW (rreth 800 KF), por maksimumi i fuqisë zgjatë vetëm një minutë.
Kapaciteti i baterive të litium-polimerit, përndryshe në regjimin e rregullt është i mjaftueshëm për autonominë deri 200 kilometra.
Kjo karakteristikë teknike mundëson pra Superbus-it shpejtësinë deri 250 km/h, ndërsa është shumë i rëndësishëm edhe e dhëna të cilën e potencojë konstruktorët se rruga e ndaljes, nga kjo shpejtësi deri të ndalja totale, është më e shkurtë se 200 metra.