Shtresa e naftës arrin në bregdetin e Shteteve të Bashkuara
Louisiana, 30 prill - Shtresa e naftës në Gjirin e Meksikës ka arritur siç pritej në bregdetin e shtetit të SHBA-së Louisiana. Nafta e derdhur ka nisur të hyjë në deltën e Mesisipit.
Valët e larta bënë që të dështonin përpjekjet për të penguar përhapjen e naftës me barriera lundruese.
Të kërcënuar ndër të tjera janë sistemi ekologjik dhe ekonomia e peshkimit. Qeveria amerikane foli për një "katastrofë kombëtare", ndërkohë që në Lousiana është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Presidenti Barack Obama urdhëroi që të angazhohet edhe ushtria dhe marina detare për ndalimin e shpërndarjes së shtresës së naftës.
Koncerni britanik, BP operatori i platformës së naftës që pësoi havari, kërkoi zyrtarisht ndihmë nga Pentagoni.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se BP do të marrë përsipër shpenzimet për pastrimin e ambjentit.
Ushtria amerikane është bashkuar me rojën bregdetare në përpjekje për të ndalur përhapjen e njollës së naftës në Gjirin e Meksikës.
Në oqean mund të jetë derdhur pesë herë më shumë naftë nga sa është llogaritur, pas shpërthimit të platformës javën e kaluar.
Njolla e naftës ka një përmasë prej 45 dhe 105 miljesh, pothuajse sa sipërfaqja e Xhamajkës, dhe po u drejtohet brigjeve amerikane.
Ndërkohë, një rrjedhje tjetër nafte është zbuluar dhe ekspertët paralajmërojnë se katastrofa mund të jetë më e madhja e regjistruar ndonjëherë.