Shteti duhet të lehtësoj barrën e mirëmbajtjes së ndërtesave tradicionale
Prizren, 15 janar - Ndërtesa e vjetër në rrugën “Bujar Isaja” është rrënuar ditë më parë, pas vlerësimit të organeve përkatëse të Komunës së Prizrenit si dhe autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Këta të fundit, sipas raportimeve të mediave lokale kanë konstatuar se ndërtesa nuk ka qenë në zonën e Qendrës Historike e as pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura, dhe se ka qenë në gjendje të rëndë, derisa organet komunale kanë evidentuar rrezikun e shembjes.
EC Ma Ndryshe përsërit qëndrimin e shprehur edhe më parë se siguria e qytetarëve është prioritet. Në këtë rast, duke marrë për bazë vlerësimet e bëra, janë ndërmarrë masa për evitimin e rrezikut për qytetarët.
Duke marrë shkas nga ky rast, EC edhe njëherë rikujton se ruajtja e ndërtesave të vjetra, përkatësisht shtëpive tradicionale është barrë e rëndë për pronarët e tyre.
Ndërtesat e vjetra tradicionale kanë nevojë për mirëmbajtje e meremetim të vazhdueshëm dhe pronarët e tyre në shumicën e rasteve nuk po kanë kapacitet financiar për ti mbuluar këto shpenzime.
EC apelon sërish tek institucionet përgjegjëse që ti përkrahin pronarët që posedojnë ndërtesa me vlerë përmes programeve të veçanta të investimit për restaurime e rehabilitime.
Organet shtetërore në bashkëpunim me komunitetin duhet të ndërmarrin veprime adekuate me kohë që shtëpitë tradicionale dhe ndërtesat tjera të trashëgimisë kulturore mos të degradojnë deri në masën sa të paraqesin rrezik.
Prandaj organet përkatëse shtetërore duhet që sa më parë të themelojnë fond për mbrojtje, restaurim dhe rehabilitim të ndërtesave me vlerë të trashëgimisë kulturore.