Shqipëri, parashikohen rezerva gjigande nafte
Tiranë, 26 shkurt - Rezervat e naftës në zonën e Shpiragut, në Shqipëri mund të arrijnë nga 500 deri në 800 milionë fuçi.
'Oil and Gas Investments', një institut kërkimor kanadez në fushën e energjisë thotë se ky mund të jetë një nga zbulimet më të rëndësishme të naftës në rajon vitet e fundit.
Në një artikull të publikuar në portalin më të madh financiar të Kanadasë, 'Oil and Gas Investments' thuhet se përfshirja e gjigantit 'Shell' është dëshmi e qartë për suksesin në Shpirag.
Të dy kompanitë 'Shell' dhe 'Petromanas' kanë kryer tashmë një shpim në këtë zonë,me rezultate të suksesshme, duke zbuluar një sasi nafte nga 1500 në 1800 fuçi në ditë.
Menjehërë pas shpalljes së rezultateve të pusit dy aksionet e 'Petromanas' në bursë janë rritur me rreth 60 për qind, niveli më i lartë prej një viti.
Nëse edhe shpimi i dytë do të konfirmojë rezultatet e pritshme, prodhimi i naftës në Shqipëri mund të rritet me 50% nga niveli aktual, një fakt ky i deklaruar edhe nga qeveria.