Shqipëri, ndërtuesit drejt falimentit
Tiranë, 12 prill - Sektori i ndërtimit në Shqipëri zë një peshë në Prodhimin e Brendshëm Bruto në masën 13 për qind, ose mbi 1.2 miliardë dollarë, por gjiganti i ekonomisë ka nisur me kohë tkurrjen.
Kriza e vitit 2009 po ndjehet ende dhe së bashku me faktorët e brendshëm e bën të vështirë kapërcimin. Shoqata e Ndërtuesve rendit disa faktorë që rrezikojnë sektorin dhe çojnë shumë firma drejt falimentit, kryesisht për shkak të borxheve të mëdha dhe barrës së taksave, apo kostot e fshehta që lidhen me procedurat burokratike.
Duke nisur me apartamentet që nuk po shiten, firmat e rrugëve të zhytur në borxhe për shkak se qeveria nuk likuidon faturat, me taksat e larta (parapagimi i tatimfitimit), mungesa e lejeve dhe e planeve rregulluese, si dhe kriteret përjashtuese në tenderë, janë faktorët që rëndojnë gjithnjë e më shumë në aktivitetin e ndërtimit, ku dhe numri i të punësuarve është më i madhi në vend.
Deficitet e ndjeshme në pagesat për firmat që kanë punuar në realizimin e punëve publike, bashkuar kjo dhe me pagesat për kreditë e marra nga bankat për këtë qellim, kanë sjellë një vështirësi të madhe për këto firma, deklaroi dje në aktivin e 2012-s, kryetari i bordit të shoqatës, Luigj Aleksi.
Duke i renditur me radhë, operatorët e këtij sektori ankohen për aplikimin e çmimeve të Manualit të Ndërtimeve në situacionet e punimeve të kryera, si dhe pranimin e këtyre çmimeve si bazë për kontrollin tatimor. Tatimfitimi i pronarit të truallit, i cili zë 50% të objektit, pagat referencë dhe ngatërresat që ndodhin nga tatimet për çmimet referencë të banesave nga Enti Kombëtar, janë disa nga shkaqet që lidhen me aspektin fiskal pengues për zhvillimin e ndërtimit.
Borxhet e shumta, deri në 100 milionë dollarë, të akumuluara në dy vitet e fundit janë një shqetësim serioz për shoqatën. Kemi pasur besim të plotë që punimet, me vonesë, por do paguhen, thotë Aleksi.
Sipas tij, firmat realizuan investime dhjetëra miliona euro, morën kredi me interesa të larta dhe aktualisht në kushtet e moslikuidimit për punimet e kryera, regjistrojnë vetëm humbje në bilance.
I kërkojmë administratës, në veçanti Drejtorisë së Rrugëve që të ulemi bashkërisht dhe të gjejmë një marrëveshje. Kërkesa është urgjente para se të arrijmë në pasojat e falimentit të firmave, e cila do të ishte absurde në kushtet kur disponojnë potenciale në njerëz dhe makineri, thotë Aleksi.
Në takimin me ndërtuesit ishte i pranishëm edhe zv/ministri i Transporteve, Ernest Noka, i cili bëri me faj vetë firmat, për punët e kryera tej grafikut të lejuar, apo planit të buxhetit.
Në takim nuk mungonte as kreu i Bashkisë së Tiranës, i cili me pak sforco premtoi se plani rregullues do të ishte gati në maj.
Ndërtuesit kërkuan të njihen me planin e Tiranës para se të miratohej, ndërsa për ligjin e planifikimit të territorit, u shprehën dyshues se leja e ndërtimit mund të jepet për 55 ditë.