Shqipëri: Kompanitë pretendojnë se kanë zbuluar miliarda fuçi naftë
Tiranë, 26 dhjetor - Qeveria shqiptare ka aktualisht gjashtë kontrata të hapura kërkimi/eksplorimi dhe dy kontrata shfrytëzimi në fushën e hidrokarbureve, pothuajse të gjitha të nënshkruara me kompani që ekzistojnë në internet në mënyrë episodike, që janë krijuar rishtas dhe që shpesh publikojnë lajme të bujshme.
Të gjitha kontratat aktuale janë nënshkruar gjatë dekadës së fundit, ndërkohë që kompani me të vërtetë serioze botërore të naftës e gazit patën kërkuar gjatë viteve 90 dhe u larguan kur nuk arritën të gjejnë burime të mjaftueshme.
Këto kompani së bashku vlerësohet se investuan rreth 600 milionë dollarë për hapjen e puseve në disa zona të Shqipërisë si Berat, Tiranë, Nartë, në detin pranë Durrësit, Gjirokastër etj., dhe në të gjitha rastet nuk patën interes për të kaluar në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të naftës.
Gjigantët si Shell, Oxidental Petroleum, OMV etj., u zëvendësuan nga kompani të vogla, të cilat duket se nuk kanë bërë ndonjë punë tjetër përveç publikimit të lajmeve.
Kështu, në vitin 2008, një kompani pretendoi se ka zbuluar miliarda fuçi naftë në zonën mes Durrësit dhe Koplikut.
Nga kjo kompani nuk është dëgjuar më asnjë që nga ajo kohë. Por në rastin e Sky Petroleum, papërgjegjshmëria e qeverisë në nënshkrimin e kontratave spekulative rrezikon të na kushtojë rëndë.
Një kontratë tjetër eksploruese është nënshkruar me një kompani të quajtur Island internacional për hapësirën detare pranë Durrësit, zonë ku dikur ka kërkuar pa sukses Shell.
Në jug të Shqipërisë, përgjatë kufirit të papërcaktuar detar me Greqinë, është dhënë një koncesion tjetër kërkimi për një kompani të quajtur Capricorn Albania.
Nuk ka asnjë të dhënë se çfarë është kjo kompani dhe se çfarë asetesh ka. Tre vjet më parë, qeveria nënshkroi një kontratë me një kompani të quajtur IEC Visoka për fushën naftëmbajtëse të Visokës, pranë Fierit, edhe kjo një kompani shumë enigmatike.