Shpërthen një minierë në Turqi, 201 minatorë humbin jetën
Ankara, 14 maj - Shpërthimi i së martës në një minierë qymyrguri në provincën Manisa në perëndim të Turqisë ka shkaktuar 201 të vdekur dhe 75 të plagosur.
Shpërthimi ndodhi në një pus në thellësi 2000 metra dhe u shkaktua nga marrja flakë e një kutie shpërndarëse.
Në atë kohë në pus po punonin 580 minatorë, 280 nga të cilët arritën të dalin jashtë, ndërsa 300 të tjerë mbetën të bllokuar.
Numri i të vdekurve pritet që të rritet, teksa vijojnë punët e shpëtimit.
Kryeministri turk anuloi një vizitë në Tiranë të planifikuar për të mërkurën, për të shkuar në vendin e aksidentit, që është më i rëndi i ndodhur në minierat në Turqi në më shumë se dy dhjetëvjeçarë.
Përfaqësuesit e sindikatës thanë se shpërthimi në minierën që ndodhet në qytetin Soma, në provincën e Manisas. u dëgjua gjatë ndryshimit të turneve dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që pati pasiguri për numrin e minatorëve të mbetur brenda minierës.
Presidenti turk Abdullah Gyl urdhëroi guvernatorin rajonal për të venë në dispozicion të gjitha burimet, për shpëtimin e minatorëve. Ndërsa kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan i shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe nënvizoi se ekipet e shpëtimit do të bëjnë gjithçka të mundur për të shpëtuar minatorët e bllokuar, që mendohet se ndodhen 4 km larg hyrjes se minierës.
Një prej zyrtarëve lokale tha se tymi i dendur po pengon përpjekjet e ekipeve të shpëtimit.
Aksidentet në miniera janë të zakonshme në Turqi, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë. Më i rëndi është regjistruar në vitin 1992, kur 270 minatorë humbën jetën në afërsi Zonguldak-ut, në Detin e Zi.