SHELL kërkon naftë në Shpirak, Shkodër, Lezhë e Elbasan
Tiranë, 20 prill - Dy kompani, ndër të mëdhatë në sektorin botëror të naftës, SHELL dhe "Petromanas Energy", do të investojnë këtë vit rreth 50 milionë USD për shpimin e pusit "Shpiragu 2", në afërsi të fshatit Mbjeshovë, në komunën e Sinjës, në rrethin e Beratit.
Drejtues të dy kompanive janë optimistë se ky vit mund të rezultojë "vit zbulimi" për burime të reja të naftës në Shqipëri.
"SHELL" ka planifikuar të zgjerojë hartën e shpimeve edhe në zona të tjera, duke nisur nga zonat e Shkodrës, Lezhës, Elbasan dhe në Berat, thanë sot për ATSH-në burime zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Burimeve natyrore (AKBN).
Sipas tyre, pritet që në muajt në vijim të ketë rezultate pozitive nga shpimet për kërkim nafte, pasi studimet e kryera inxhinierike dhe gjeologjike janë premtuese për nxjerrjen e naftës në vendburime të reja, të papërdorura më parë.
Kompania "Petromanas Energy", që vepron nga viti 2009 në Shqipëri për kërkim nafte, i ka transferuar kompanisë SHELL 50 % të interesave të Marrëveshjes Hidrokarbure për blloqet e kërkimit 2 dhe 3 që ka me qeverinë shqiptare.
Kompania "Petromanas Energy" mbylli para dy muajsh marrëveshjen me degën e gjigantit holandez të naftës "Royal Dutch Shell" për eksplorimin e naftës në këto dy blloqe në një sipërfaqe prej 852 mijë akra.
"Royal Dutch Shell" do të marrë 50% të fitimeve në këto dy blloqe kundrejt investimit prej 50.3 milionë usd në pagesa dhe shpenzime të tjera, ndërsa "Petromanas" do të jetë në rolin e operatorit zbatues.
Në tregun botëror të energjisë, nafta e Shqipërisë konsiderohet në pikën kulmore të saj pas dështimit të kërkimeve të kompanive të mëdha globale të botës gjatë viteve 1990, pasi tashmë po regjistrohet rritje e interesit për naftën shqiptare. Kompanitë raportojnë të dhëna të ndryshme, por interesi, sipas analistëve të këtij tregu, vlerësohet të jetë në trend rritës.