22 Dhjetor 2024

SHBA: Një njollë gjigante nafte në det rrezikon bregdetin

SHBA, 29 prill - Një njollë gjigante nafte që rezultoi pas shpërthimit në një platformë shpimesh në det rrezikon të arrijë këtë fundjavë në brigjet amerikane të Gjirit të Meksikës.

Zyrtarët pritet të përdorin metodën e djegies së kontrolluar të naftës për eliminimin qoftë edhe të pjesshëm të saj. Ky është incidenti më i rëndë i këtij lloji që prej një dekade në Shtetet e Bashkuara.

Njolla e naftës mund të dëmtojë rëndë ekuilibrin delikat ekolgjik të zonës prandaj Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan po ndërmarrin një hetim të hollësishëm.

Njolla e naftës ka filluar të lëvizë drejt bregut dhe tani ndodhet rreth 33 kilometra larg tij. Një ndryshim në drejtimin e erës mund ta shtyjë atë drejt brigjeve të Luizianës këtë fundjavë, sipas parashikuesve të motit.

\"Njolla e naftës ka arritur distancën më të shkurtër gjatë kohës që vazhdojnë përpjekjet për frenimin e saj. Ne po i kushtojmë vemendje shumë të madhe kësaj,” thotë kundëradmiralja e Rojes Bregdetare  Mary Landry.

Njolla e naftës vjen nga një pus 1,525 metra nën sipërfaqen e oqeanit dhe ka një shtrirje prej  74 mijë kilometrash katrore, diçka më shumë se sa shteti i Virxhinias Perëndimore.

Platforma e firmës zvicerane Deepwater Horizon u zhyt më 22 prill, dy ditë pas shpërthimit dhe zjarrit që e përfshiu ndërsa ishte duke përfunduar shpimin e një pusi për kompaninë e naftës BP rreth 64 kilometra në juglindje të grykëderdhjes së lumit Misisipi.

Roja Bregdetare amerikane po përpiqet me ndihmën e 8 robotëve të nënujshëm të aktivizojë një valvul  që do të ndërpriste rrjedhjen e naftës. Zyrtarët pritet t’i vënë zjarr njollës së naftës në vendin ku ajo gurgullon mbi sipërfaqe në përpjekje për të frenuar përhapjen.

Roja Bregdetare thotë se nëse gjendja nuk vihet nën kontroll, kjo mund të rezultojë në njërën prej rrjedhjeve më të mëdha të naftës në historinë amerikane.

Nga pusi në fund të oqeanit rrjedh një sasi nafte e barabartë me rreth 1 mijë fuçi në ditë.

Brigjet e shteteve Teksas, Misisipi, Florida dhe Luiziana janë në gjendje alarmi për një ndotje të mundshme.

Njëmbëdhjetë punëtorë të platformës rezulsojnë të zhdukur dhe mendohet se kanë humbur jetën nga shpërthimi.

Departamenti amerikan i Sigurisë së Vendit si dhe departamentet që merren me mbrojtjen e mjedisit kanë nisur një hetim të përbashkët. Një hetim të tillë po ndërmerr edhe Kongresi amerikan.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)