Sharr Cem-in e pret dënimi prej tre milionë euro
Prishtinë, 11 prill - Kompaninë e vetme në vend për prodhimin e çimentos Sharr Cem, e pret dënimi prej tre milionë euro nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), pasi që kjo kompani për një kohë jo të gjatë kishte përfituar në mënyrë të jashtëligjshme miliona euro.
Burime të besueshme të gazetës Zëri bëjnë të ditur se rreth një javë para se Ministra e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ta marrë vendimin për vendosjen e taksës për çimenton e importuar nga Shqipëria, por edhe vende tjera kompania Sharr Cem ka ngritur çmimin e çimentos së paku për një euro, ku në masë të madhe ka dëmtuar konkurrencën në vend.
Ekziston dyshimi se këtu behët fjalë për një marrëveshje mes kompanisë dhe ministrisë që ka marrë vendimin për vendosjen e taksës për çimenton. Deri më tash është mbajtur një seancë, por në ditët në vijim do të mbahen edhe seanca tjera. Kemi dyshime të bazuara se kompania në fjalë ka përfituar miliona euro në mënyrë të jashtëligjshme, tha burimi i besueshëm i gazetës Zëri.
Sipas këtij burimi, AKK-ja është duke shqyrtuar një formë më të letë sanksionimi për kompaninë.
Më tej burimi bën të ditur se AKK-ja, në parim, ka marrë vendim që kompanisë Sharr Cem tia marrë vetëm pjesët e fitimit që ka realizuar në mënyrë të jashtëligjshme, por jo edhe pjesën tjetër të fitimit, edhe pse më ligj AKK-së i lejohet një veprim i tillë.