Rritet prodhimi i brendshëm i 19 vendeve të Eurozonës
Bruksel, 9 shtator - Zyra e statistikave e Bashkimit Evropian, Eurostat tha se prodhimi i brendshëm i përgjithshëm në 19 vendet e Eurozonës u rrit 0.4 për qind nga tremujori në tremujor në periudhën prill-qershor ndërsa rritja vjetore ka qenë 1.5 për qind.
Këto shifra janë më të larta nga parashikimi i mëparshëm prej 0.3 për qind rritje për tremujorin dhe 1.2 për qind rritje vjetore.
Rishikimi i parashikimeve i atribuohet kryesisht të dhënave më pozitive nga çpritej nga Italia, ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë.
Në Gjermani, eksportet u rritën 2.4 për qind në muaj duke kapur shifrën 103.4 miliardë Euro ndërsa importi u rrit me 2.2 për qind duke kapur shifrën 80.6 miliardë Euro.
Ishin vlerat më të larta që kur filluan të regjistroheshin shifrat në vitin 1991, siç tregonin të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave sot.
Të dyja shifrat ishin shumë më të larta nga çishin parashikuar. Ekonomistët kishin parashikuar që tramsporti jashtë vendit të rritej me 0.7 për qind dhe importet me 0.5 për qind.
Një vështrim i detajuar tregon se transporti në vende brenda Eurozonës u rrit me 5.5 për qind në korrik krahasuar me një vit më parë, ndërsa eksportet në vendet Brenda BE-së që nuk përdorin Euron u rritën me 6.9 për qind. Kërkesa për mallra gjermane përtej BE-së u rrit me 6.4 për qind.
Analisti financiar Jan Randolph thotë të dhënat nga Gjermania janë inkurajuese.
Është një shenjë e shëndetshme. Tregon se shqetësimi që mund të ketë patur eksporti gjerman me ngadalësimin në KInë, është zbutur nga rritja e kërkesës në Evropë.
Megjithatë Kina mbetet rrezik për Gjermaninë e cila ka ekspozimin më të madh ndaj vendit aziatik mes gjithë vendeve të Evropës.
Banka e Francës e la vlerësimin për tremujorin e tretë të pandryshuar në 0.3 për qind, por analistët thonë se ekonomia franceze vazhdon të jetë e dobët.
Në Spanjë ndërkohë, çmimet e shtëpive u rritën me ritmin më të shpejtë që nga fundi i vitit 2007 në tremujorin e dytë, sipas shifrave të sotme dhe një rimëkëmbje ekonomike ka ndihmuar në rigjallërimin e tregut të shit-blerjes së shtëpive.