Rrënohet objekti pa leje në lagjen "Dodona"
Prishtinë, 23 dhjetor - Sot, Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës filloi me zbatimin e vendimit për rrënimin e katit të gjashtë të objektit pa leje, në Lagjen \"Dodona\", afër ndërtesës së Akademisë së Arteve dhe Shkencave në Kosovë (ASHAK), të investitorit Naki Trade.
Duke pasur parasysh Ligjin për legalizim, i cili e përcakton se të gjitha ndërtimet e bëra pas datës 30 gusht të vitit 2013 nuk janë subjekt i trajtimit nga ky ligj, rrjedhimisht me automatizëm futen në kategorinë e objekteve që do të rrënohen, si dhe pas ezaurimit të të gjitha pretendimeve të investitorit për këtë pikë, sot firma e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, nën udhëheqjen e Drejtorisë së Inspeksionit, zbatoi vendimin për rrënimin e katit të VI të, të këtij objekti.
Risjellim në vëmendje se për të gjitha objektet pa leje që aplikohet, e të cilat janë ndërtuar para datës 30 gusht të vitit 2013, do ti nënshtrohen ligjit për legalizim, në të kundërtën ato do të futen në listën për rrënim.
Komuna e Prishtinës mbetet e vendosur që me përkushtim ta zbatojë ligjshmërinë në të gjitha fushat.