Riorganizimi i Trepçës, pas kompletimit të Bordit të AKP-së
Prishtinë, 3 maj - Agjencia Kosovare e Privatizimit është duke pritur formimin e bordit të drejtorëve, që të fillojë më pas procesin e riorganizimit të kompleksit metalurgjik Trepça, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj agjencie.
Sipas Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurive të tyre, administrator i ndërmarrjes Trepça është Agjencia Kosovare e Privatizimit, derisa gjithë procesi do të mbikëqyret nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.
Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Yll Kaloshi, shpalos detajet për Radion Evropa e Lirë, rreth procesit të riorganizimit të ndërmarrjes Trepça.
Agjencia ka obligime bazuar në këtë ligj, si administrator i kësaj ndërmarrjeje. Ka pasur diskutime të shumta sa i përket planit për riorganizim që duhet të dorëzohet sipas ligjit nga AKP- ja në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Tashmë ka afat shtesë që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës dhe agjencia është në proces e sipër të kryerjes së obligimeve ligjore që ka, bazuar në ligjin në fjalë. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të formohet bordi i drejtorëve të AKP-së dhe do të zhvillohen proceset që janë të nevojshme për ndërmarrjen Trepça, thotë Kaloshi.
Ky riorganizim, sqaron Kaloshi, përfshin angazhimin e ofruesve të shërbimeve profesionale, ekipe ekspertësh që do të ndihmojnë në hartimin e planit për riorganizim, si dhe në proceset tjera, siç është regjistrimi i aseteve mbitokësore, regjistrimi i rezervave dhe minerareve nëntokësore.
Pas të gjitha këtyre proceseve, shton Kaloshi do të nxirren të dhëna të sakta për ndërmarrjen Trepça.
Do të thotë, do të regjistrohen obligimet apo si njihen kreditorët e ligjshëm do të identifikohen, do të dihet se çfarë obligime ka ndërmarrja Trepça, pasi që flitet shumë për këta kreditorë, derisa akoma nuk kemi të dhëna të sakta se sa është numri i këtyre kreditorëve dhe cilat janë obligimet ndaj tyre, bën të ditur Kaloshi.
Pasuria e kompleksit metalurgjik Trepça ka qenë pjesë e diskutimeve të shumta në Kosovë. Njohësit e kësaj fushe kishin deklaruar vlera të ndryshme sa i përket pasurisë së kësaj ndërmarrjeje.
Por, deri më tani Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik Trepça.
I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali material i Trepçës, mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.
Ajo çka mund të thuhet për vlerën e këtij kombinati, sipas ish-udhëheqësve të tij dhe njohësve të kësaj fushe, është se ky kombinat ka rezerva të mëdha të mineraleve, plumbit, zinkut, argjendit dhe arit.
Ish-drejtori i kombinatit Trepça, Burhan Kavaja, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë kishte theksuar se nuk janë bërë hulumtime të detajuara dhe praktikisht është shumë vështirë të dihet vlera reale.
Ai kishte thënë se çdo muaj kur të nxirren dhe shfrytëzohen sasitë e mineraleve, zbulohen të tjera të reja.
Në vitin 1992 kemi bërë një vlerësim për të gjitha resurset e Kosovës, [vlera] ka qenë 505 miliardë dollarë; pjesa kryesore e tyre ka qenë thëngjilli, kaustobiolidet. Atëherë pati mbetur që Trepça, në atë kohë potencialin material e ka pasur 85 miliardë dollarë. Mirëpo, tash nuk mund të themi sa [është vlera reale], se edhe në kohën kur e kanë shfrytëzuar serbët, edhe në kohën kur e kemi shfrytëzuar ne, nuk janë bërë kurrfarë kërkimesh, të cilat do të ishin të verifikuara dhe të kategorizuara, kishte deklaruar Kavaja.
Përveç aseteve dhe degëve të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, kombinati Trepça ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet 80, me mbi 21 mijë punëtorë.