Qeveria miratoi Projektligjin për ndryshimin e pronësisë së Trepçes
Prishtinë, 19 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të shtatë, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Riorganizimin dhe Ndryshimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre.
Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i afateve kohore për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, më qëllim të rehabilitimit të këtyre ndërmarrjeve dhe rikthimi i qëndrueshmërisë së tyre si biznese profitabile dhe me përfitime për ekonominë e Republikës së Kosovës.
Me këtë propozim Kryeministri, Isa Mustafa, i ka ftuar të gjithë të pranishmit të votojnë për, pasi sipas tij, ky propozim ka qenë harmonizuar, pasi që është punuar që një kohë të gjatë.
Propozoj për rend të ditës shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit me numër 04/L-35 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Nuk kishim shqyrtuar sot pika të ndryshme sepse jemi të lidhur me seancën e Kuvendit, por iu propozoj që vetëm ta shqyrtojmë këtë pikë, tha Mustafa.
E Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se me ndryshimin e këtyre dy neve të caktuara, do të rregullohen më mirë afatet kohore të dorëzimit dhe zbatimit të këtyre planeve për riorganizim.
Më lejoni që para jush të paraqes projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Duke pasur parasysh problematikën e krijuar me afatet kohore të zbatimit të planeve për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, ne kemi parë të arsyeshme që të bëjmë plotësim-ndryshimin e Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, në mënyrë që ti rregullojmë më mirë afatet kohore të dorëzimit dhe zbatimit të këtyre planeve për riorganizim. Ne i kemi bërë dy ndryshime, të dy nene të caktuara, me të cilat këto periudha kohore rregullohen shumë më mirë, prandaj iu ftoj që ta miratojmë këtë Projektligj, tha Stavileci.
Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Riorganizimin dhe Ndryshimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre, ndryshon nenin 22, që rregullon afatet për përgatitjen dhe implementimin e planit të administratorit për riorganizim.
Projektligji parasheh afatin prej 18 (tetëmbëdhjetë) muaj për riorganizimin sipas planit ndërsa të njëjtin Gjykata mund ta zgjas edhe për 18 (tetëmbëdhjetë) muaj, d.m.th. gjithsejtë 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj pas një apo më shumë kërkesave të dorëzuara në Gjykatë nga administratori.