Qendra Botërore e Tregtisë, ndërtesa më e lartë në SHBA
New York, 3 maj - Në New York vazhdon puna për ndërtesën që po zëvendëson Qendrën Botërore të Tregtisë.
Punëtorët e ndërtimit vendosën një strukturë çeliku në majë të ndërtesës, duke e bërë atë më të lartën në New York dhe të tretën në botë.
Ajo quhet One World Trade Center dhe është tani 381 metra e lartë, duke ia kaluar edhe ndërtesës Empire State Building, deri tani më e larta e New Yokut.
Kur të përfundojë, ndërtesa e re do të ketë 104 kate dhe ajo do të jetë 541 metra e lartë, ose 1 mijë e 776 këmbë e lartë, një lartësi e zgjedhur posaçërisht për të simbolizuar lirinë. 1776 ishte viti kur Shtetet e Bashkuara deklaruan pavarësinë nga Britania.
One World Trade Center shpesh quhet Freedom Tower, Kulla e Lirisë, dhe ajo po ndërtohet pikërisht në vendin ku ndodheshin dy kullat binjake të Qendrës së Tregtisë, e cila u shkatërrua më 11 shtator të vitit 2001 nga sulmet terroriste.