Prodhuesit e verës kërkojnë mbështetje nga qeveria
Prishtinë, 9 dhjetor - Prodhuesit kosovarë të verës e mirëpresin vendimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, që i garanton Kosovës të eksportojë dy milionë litra verë në vit pa tarifë doganore.
Por ata kërkojnë mbështetje më të madhe nga qeveria, që të jenë më konkurrent në tregun evropian.
Kosova për herë të parë merr kuotën individuale për eksportimin e verës në BE. Me vendim të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, Kosovës i garantohet eksport i dy milionë litrave verë në vit pa tarifë doganore.
Heqja e tarifës, pritet të ndikojë në uljen e kostos dhe rritjen e konkurrencës, thotë kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve VRESHTARI, nga Rahoveci, Labinot Shulina.
Për prodhuesit e verërave të Kosovës, por gjithashtu edhe për prodhuesit e rrushit është i mirëseardhur, sepse vera jonë në tregjet e Evropës del me një kosto pak më të lirë se sa deri më tani që e kemi eksportu në vendet e Evropës, thotë Shulina
Shulina thotë se Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë të përkrahë vreshtarët, pasi sipas tij, kjo reflektohet në rritjen e kapaciteteve prodhuese por edhe cilësisë së prodhimit.
Duhet që sa më shumë të rriten subvencionet, në mënyrë që të mund t`i rrisim investimet në bodrume, në vreshta, Kosova ti ketë 14 mijë ha vreshtat dhe jo 4 mijë. Dhe në këtë formë të mund të konkurrojmë me vendet tjera të rajonit, thotë ai.
Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj tha se Kosova deri më tani nuk ka pasur kuotë të garantuar për eksport të verërave në Bashkimin Evropian. Sipas tij ky vendim i marrë nga organet e BE-së është rezultat i punës së gjatë të qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Të gjithë eksportuesit kosovarë do t`i kenë të garantuara dy mijë hektolitra të eksportit të verërave pa tarifë doganore dhe pasi që ta përmbushin këtë kuotë, atëherë mund të marrin pjesë në kuotën globale pjesë e së cilës janë të gjitha vendet e rajonit dhe ku ekziston sistemi i pari që vjen i pari shërbehet, tha Nikaj.
Ky vendim është publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian më 30 nëntor. Zëvendësministri Nikaj sqaroi se vendimi është i ndarë nga bisedimet e marrëveshjes së stabilizim asociimit dhe merret në kuadër të masave preferenciale tregtare, pjesë e të cilave Kosova është që disa vite.
/Radio Kosova/