Prodhimi vendor shumë më i sigurtë se ai nga importi
Prizren, 27 nëntor - Delegacioni i Aleancës Kosovare të Bizneseve në drejtimin e Agim Shahinit, ka vizituar fabrikën e lëngjeve Frutti në Reçan me rastin e instalimit të linjës së re për prodhimin e lëngjeve Every day, ku është njoftuar lidhur me prodhimtarinë, vështirësit dhe sfidat që ka kjo fabrikë.
Kjo vizit realizohet në kuadër të projektit tradicional: Javët e Biznesit Kosovar 2014, e cila ka për qëllim promovimin dhe konsumimin e prodhimeve vendore.
Në këtë vizitië ishte edhe kryetari i Këshillit të Agro biznesit Shqiptar Enver Ferizaj dhe prodhues të ndryshëm nga Kosova.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se kjo fabrikë po ndikon në zhvillim të vendit që nga viti 2000. Krahas saj ajo ka shënuar edhe rritje të prodhimtarisë, numrit të të punësurave dhe prodhimin e lëngjeve të cilësisë së lartë.
Ne jemi në mbështetje të prodhuesve vendës dhe në këtë kuadër po realizohet projekti Javët e Biznesit Kosovar, jo vetëm brenda trevave shqiptare, por edhe në Austri, Slloveni, Turqi, Zvicër e vende tjera me qëllim që prodhuesve vendor tu jepet mundësia e gjetjes së tregjeve të reja, tha Agim Shahini.
Ai kërkon nga qytetarët që të konsumojnë prodhime vendore me qëllim të rritjes së zhvillimit ekonomik, prodhimtarisë dhe mirëqenies sociale e uljes së papunësisë.
Sipas tij prodhuesit përballen me politika jo të favorshme dhe të cilat duhet të ndryshohen në dobi të prodhuesve.
Ligji për Mbrojtjen e Prodhimit Vendor, duhet të aprovohet sa më shpejt nga Kuvendi i Kosovës dhe i cili do të avanconte shumë pozicionin e prodhuesit vendore karshi konkurrencës së padrejt.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve vitin, 2014 e vlerësoi si jo të mirë për biznesin, e pasojat e të cilit do të ndihen edhe në vitin 2015.
Nga ana tjetër Besim Malsori, pronar i fabrikës së lëngjeve natyrale dhe produkteve të qumshtit Frutti, tregoi se kjo fabrikë ka nisur prodhimin që nga viti 2000 dhe ajo dita ditës ka rritur kapacitetet dhe prodhimtarinë e saj. Këtu prodhohen mbi katërdhjetë lloje të brendeve, derisa në fillim kishte nisur me prodhimin e vetëm tetë brendeve.
Këto produkte janë prezente në gjithë tregun e Kosovës, por edhe eksportojmë edhe jashtë saj si në Austri, Suedi, Gjermani, Zvicërr, Shqipëri e Maqedoni dhe prioritet kemi gjetjen e tregjeve të reja për eksport, tha Malsori.
Sipas saj cilësia e produkteve është e nivelit të lartë dhe të cilat prodhohen nga teknologjia më moderne. Kapacitetet e kësaj fabrike brenda një ore janë rreth 60 mijë litra.
Si problem kryesor vazhdon të mbeten politikat fiskale gjegjësisht akciza e cila është e lartë dhe po e dëmton rëndë jo vetëm fabrikën tonë, por të gjithë prodhuesit. Problem tjetër janë edhe kamatat e larta që kanë bankat dhe po ndikojnë në mos zhvillimin e fabrikave. Telashe tjetër vazhdon të mbeten ndërprerjet e pakantrolluara të energjisë që po na shkaktojnë humbje, tha Rina Malsori, menaxhere e Fruttit.
Menaxherja e kësaj fabrike, tregoi se prioritet kanë rritjen e prodhimtarisë, gjetjen e tregjeve të reja për eksport si dhe në rast se do të subvencionohen nga shteti do të shtonin edhe prodhimtarinë e saj dhe numrin e të punësuarëve që tash kanë mbi 100 veta.
Enver Ferizaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, tha se ndjehet i impresionuar me zhvillimin e kësaj fabrike. Ai premtoi përkrahje në rritjen e eksporteve drejt Shqipërisë si dhe eliminimin e barrierave që hasin. Ai i bënë thirrje shqiptarëve që të konsumojnë lëngjet e Fruttit