Prodhimi industrial në Turqi rritet për 2,7 për qind
Stamboll, 9 gusht - Vazhdon të rritet prodhimi industrial në Turqi. Në muajin qershor prodhimi industrial është rritur me 2,7 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Instituti i Statistikave të Turqisë publikoi shifrat e indeksit të prodhimit industrial për muajin qershor 2012.
Në qershor në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në nënsektorët industrialë rritja u shënua përkatësisht: indeksi i minierave dhe guroreve u rrit me 4,6 për qind; indeksi i industrisë së prodhimit u rrit me 1,8 për qind kurse indeksi i sektorit të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar u rrit me 9,2 për qind.
Kurse indeksi i prodhimit industrial i llogaritur pa marrë parasysh ndikimet sezonale dhe kalendarike shënoi një rritje 2 për qind në krahasim me muajin qershor të vitit 2011.
Shifrat e Indeksit të Prodhimit Industrial i ka vlerësuar edhe Ministri turk i Ekonomisë, Zafer Çallajan.
Në shumë vende kemi pasiguri, por megjithëkëtë ne jemi një vend që vazhdojmë të rrisim eksportet, u shpreh Çallajan.
Në një deklaratë me shkrim Zafer Çallajan tha se Indeksi i Prodhimit Industrial që nga dhjetori i vitit 2009 e këtej për 31 muaj vazhdon të shënojë një rritje të qëndrueshme.
Këto zhvillime japin sinjalin se rritja ekonomike për çerekun e dytë të vitit do të realizohet sipas objektivave të Programit Afatmesëm të qeverisë për zhvillimin. Bashkë me sistemim e ri të nxitjes së investimeve do të kemi në një të ardhme të mesme një fuqizim edhe më të madh të ekonomisë në investime, prodhim, punësim dhe eksport, thotë ministri Çallajan në komunikatën me shkrim.