Prodhimi industrial në Gjermani tejkalon pritjet
Berlin, 8 dhjetor - Prodhimi industrial në Gjermani në tetor është rritur për 2,8 për qind në raport me një muaj më parë për shkak të efektit të prodhimit të mallrave kapitale, pavarësisht vështirësive në furnizimin e lëndëve të para dhe repromaterialeve për prodhim.
Enti Federal i Statistikave të Gjermanisë (Destatis) ka publikuar të dhëna provizore për prodhimin industrial për muajin tetor të këtij viti.
Sipas të dhënave të fundit, prodhimi industrial i rregulluar sezonalisht dhe kalendarik në tetor është rritur me 2,8 për qind krahasuar me muajin e kaluar, pavarësisht, siç thuhet, “mungesës së theksuar të materialeve për prodhim”.
Tregjet prisnin rritje të prodhimit industrial me 0,8 për qind.
Të dhënat tregojnë se prodhimi industrial, pa përfshirë energjinë dhe ndërtimin, u rrit me 3,2 për qind në tetor krahasuar me një muaj më parë.
Në të njëjtën periudhë, prodhimi i mallrave kapitale në kuadër të prodhimit industrial është rritur me 8,2 për qind, ndërsa prodhimi i repromaterialeve është ulur për 0,4 për qind.
Prodhimi industrial gjerman ra në mënyrë të papritur në shtator, pasi problemet me furnizimin me lëndë të para dhe produkte gjysmë të gatshme ndikuan në prodhimin në ekonominë më të madhe të Evropës.
Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë njoftoi në atë kohë se prodhimi industrial ra për 1,1 për qind në nivel mujor, pas rënies me 3,5 për qind në gusht.
Ulja në muajin shtator është shkaktuar nga rënia e prodhimit në sektorët e makinerive, pajisjeve elektrike dhe pajisjeve të përpunimit të të dhënave, njofton Ministria e Ekonomisë.
“Problemet e furnizimit me lëndë të parë dhe gjysmëfabrikate, të cilat po vazhdojnë prej kohësh, janë reflektuar në plan më të gjerë”, tha ministria.
Vitin e kaluar, ekonomia e Gjermanisë rezultoi më mirë se disa vende të tjera evropiane falë prodhimit, i cili ishte më pak i prekur gjatë pandemisë sesa sektori i shërbimeve