Prodhimet e Kosovës të zhvillohen e afirmohen më fuqishëm
Prishtinë, 10 dhjetor - Si të zhvillohen dhe afirmohen prodhimet e Kosovës, ishte debati i organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, në kuadër të Javëve të Biznesit Kosovar 2013\".
Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se që nga themelimi e deri më sot kanë pasur një mision të shenjtë për promovimin e potencialeve ekonomike e prodhuese para qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik e kombëtar.
Ky mision nuk ishte i lehtë, sepse pengesat vinin nga brenda vendit nga ekonomia informate dhe nga jashtë nga konkurrenca e egër, tha Shahini. Sipas tij AKB-ja, organizon për të njëmbëdhjetën herë promovimin e prodhimeve vendëse në të gjitha trevat për konsumatorët që në fillim ishin katërdhjetë prodhime e tash janë rritur në pesë mijë prodhimeve të Kosovës për konsum.
Kryetari i AKB-së shtoi se ligjet e bëra nga institucionet nuk janë të gjitha në favor të funksionimit dhe zhvillimit të bizneseve dhe shpesh janë më të mira për importuesit e jashtëm.
Kjo është një pengesë e madhe dhe e vazhdueshme për bizneset, të cilat vështirësi janë të njohur për institucionet. Afirmimi I prodhimeve vendëse nuk është obligim i vetëm njërës palë, por i të gjithëve që të promovojmë e mbështesim prodhuesit vendës, tha Agim Shahini. Sipas tij prodhuesit mbi të gjitha duhet të kenë prodhime cilësore për nxitjen e konsumatorëve.
Të jesh sot prodhues në Kosovë, është shumë vështirë si nga niveli lokal edhe ai qendror dhe duhet të ndryshoi qasje në favor të prodhuesve, tha Shahini.
Ai përmendi edhe korrupsionin, byrokracinë e institucioneve dhe kredit e larta dhe diskriminuese të bankave. Po ashtu politika fiskale mbeten akoma jo të mira, sidomos ato për lëndën e parë. Pagesa e TVSH-së dhe doganën është shqetësues dhe duhet të bëhen lehtësira duhet ndryshuar.
Ai kërkoi subvencione për bizneset dhe AKB-së derisa nuk krijohen politika më të favorshme nuk do të ndalet për të ngritur zërin e bizneseve.
Inkurajojmë institucionet që të bëjnë hapa të favorshme për prodhuesit vendës dhe të ndryshohen politikat fiskale dhe të mos ketë pengesa. Bizneset janë lodhur duke pritur, por pritjet po i kushtojnë me humbjen e tregjeve, tha Agim Shahini.
Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrin e Financave, tha se jo vetëm MF-ja, por gjithë Qeveria e Kosovës, është e interesuar që të fuqizoi bizneset vendëse, të zhvilloi shtetin dhe të krijoi kushte sa më të favorshme për bizneset, të cilat janë bartës kryesor i zhvillimit ekonomik.
Ministria të gjitha kërkesat e komunitetit të biznesit do ti shqyrtoi shumë seriozisht dhe do të bëhen kushte sa më të mira për ato. Jemi duke bërë përmirësimin e pakos fiskale e cila pritet të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm dhe do të jetë i dobishëm për prodhuesit, tha Baxhaku.
Ai premtoi se së shpejti do të hiqet edhe TVSH-ja për lëndën e parë të mishrave dhe pijeve alkoolike dhe jo alkoolike. Sipas tij janë të përkushtuar të përkrahin prodhimet vendëse, por kjo varet nga përcaktimi I konsumatorit për blerje.
Remzi Ahmeti, nga Agjencia për Promovimin e Investimeve, tha se vendi ka legjislacion adekuat I cili është bërë në bazë të prioriteteve. Sipas tij bizneset vendëse kanë shënuar rezultate. Prodhuesit e Kosovës nuk përballen vetëm me problem të brendshme siç është konkurrenca e pandershme dhe ilegale, por edhe me ato të jashtme nga konkurrenca e egër, tha Ahmeti. Ai premtoi përkrahjen e IPAK-ut karshi bizneseve vendëse dhe kërkoi subvencionime më të mëdha për bizneset në të ardhmen.
Edhe prodhuesit vendës kërkuan trajtim më të mirë në krahasim me prodhuesit e jashtëm, duke thënë se tashmë është koha e duhur që prodhuesit vendës të trajtohen sa më mirë dhe qytetarët të konsumojnë prodhimet vendëse.