25 Dhjetor 2024

Prizreni mos të inicioj punime pa u pajisur me leje ndërtimore

Prishtinë, 18 prill - “EC Ma Ndryshe” në kuadër të projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm” ka shqyrtuar ecurinë e nisjes së punimeve në rivitalizimin e Sheshit të Lidhjes, që ka ngjallur një debat në shoqërinë prizrenase sa i përket ruajtjes së vlerave natyrore dhe trashëgimisë urbane, në këtë pjesë të rëndësishme të Qendrës Historike të qytetit. 

Bazuar në informatat e siguruara nga dikasteret përkatëse të Komunës së Prizrenit, del se ekzekutivi i Prizrenit ndonëse ka ndjekur shumicën e procedurave të duhura për realizimin e një investimi kapital të rëndësisë së veçantë, megjithatë i ka iniciuar punimet pa e siguruar edhe përfundimisht lejen për ndërtim.

Në një informatë të marrë nga Drejtoria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, lidhur me këtë projekt thuhet se “Sheshi i Lidhjes është në procedurat përfundimtare për pajisje me leje...”.

Ndërsa Drejtoria e Shërbimeve Publike që është bartëse e këtij projekti ka shpjeguar se gjatë hartimit të projektit për rivitalizim ka pas debat publik me qytetarët, derisa në planifikim janë kyçur edhe ekspertë ndërkombëtarë, në mënyrë që rivitalizimi të realizohet sipas standardeve të mirëfillta urbane.

Nisja e punimeve në këtë Shesh ka ngjallur reagim në mesin e qytetarëve për shkak të largimit të një numri të drunjve nga kjo hapësirë. Por komuniteti ka reaguar edhe në tetor të 2012-ës, gjatë fazës së planifikimit të projektit, me ç’rast është kërkuar që kalldrëmi të ruhet, sikurse që është apeluar që edhe jazet të kenë dimensionet e duhura.

Shpjegimet e dhëna nga bartësit e projektit janë se në vend të kalldrëmit do të përdoret një material tjetër vendor (rrasat) shkaku i kostos, përderisa për jazet planifikuesit janë zotuar se do t’i rishqyrtojnë dimensionet. Ndërsa lidhur me drunjtë, DSHP ka bërë të ditur se UN Habitat ka sjellë një ekspert ndërkombëtar, që ka hartuar një raport lidhur me gjendjen e tyre dhe masat që duhet ndërmarrë gjatë realizimit të projektit. 

Në raportin e ekspertizës ndërkombëtare thuhet se disa drunj janë të vdekura, të sëmura apo në shpërputhje me infrastrukturën që do të vendoset dhe është paraparë që ato të zëvendësohen në bazë të udhëzimeve të përgjithshme që janë dhënë për tërë zonën. Po ashtu është kërkuar që hartohen udhëzime të shkruara mbi standardet e ruajtjes së gjelbërimit para nisjes së punimeve në terren, si dhe mbikëqyrja e gjelbërimit nga zyrtari komunal përgjegjës për mjedisin.  

Bazuar në këto të gjetura, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që të mos inicioj punime në asnjë projekt ndërtimor pa u pajisur me leje të duhur.

Po ashtu kërkon që pas çdo debati publik, procesverbali i takimit t’i shpërndahet pjesëmarrësve, në mënyrë që të ketë mundësi edhe për komente shtesë dhe përfshirje të vërtetë të qytetarëve në vendimmarrje.

Në rastet kur materiali ndërtimor ndikon në kosto të merret parasysh edhe shtyrja e realizimit të projektit deri në sigurimin e mjeteve të nevojshme.

Gjithashtu Komuna duhet të siguroj se zona do të ri-gjelbërohet sipas udhëzimeve të raportit të ekspertëve.

EC Ma Ndryshe gjithashtu sugjeron që pas konstatimeve të Komisioneve Vlerësuese lidhur me çështjet infrastrukturore dhe mjedisore të ketë transparencë më të madhe dhe të hapet debati me komunitetin dhe po ashtu vendimet që rrjedhin si pasojë e vlerësimeve të tilla të shpalosen para publikut, në mënyrë që të shteret debati para nisjes së çfarëdo punimi. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)