Prishtina pa ujë për shkaqe politike partiake
Prishtinë, 19 gusht - Reduktimet e ashpra të ujit të pijshëm në kryeqytet po e pengojnë kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa, i cili thotë se edhe vetë po përballet me mungesë uji.
Për mosrealizimin e projektit për furnizimin me ujë pa ndërprerë Mustafa akuzon ujësjellësin Prishtina që, sipas tij, po i vonon punimet në ndërrim të gypave.
Ky institucion, sipas tij, me qëllim e la Bregun e Diellit dy ditë pa ujë, kur pati prishje në një gyp.
Krejt kjo, sipas tij, ngase ujësjellësi që menaxhohet nga niveli qendror po punon në baza partiake, konkretisht se udhëhiqet nga PDK-ja.
KTV ka tentuar të kontaktojë me drejtorin e ujësjellësit, Xhelosh Vataj, por ai është përgjigjur nëpërmjet zëdhënëses Arjeta Mjeku, duke thënë se edhe përfaqësues të LDK-së kanë votuar pro emërimit të tij.
Pos tjerash, ajo ka thënë se ujësjellës është në shërbim të qytetarëve dhe se e ka rregulluar gypin në Bregun e Diellit për dy ditë dhe se nuk ka pasur mundësi që kjo të ndodhë më shpejt.