Prezantohet zyrtarisht Jaguar XF 2016
New York, 31 mars - Jaguar ka shpalosur detajet e para për modelin e ri XF. Në krahasim me modelin e kaluar, modeli i ri është 7 milimetra më i shkurtër dhe 3 milimetra më i ulët.
Jaguar thotë se 75 për qind e konstruksionit të XF-së është e përbërë nga alumini. Kjo e ka bërë veturën 190 kilogramë më të lehtë se modeli të cilin e zëvendëson. Makina e re britanike do të vijë me disa lloje motorësh. Një prej tyre do të jetë dizel 2.0 litër me 164 kuajfuqi dhe tjetri me 180 kuajfuqi.
Jaguar po ashtu ofron modelin V6 3.0 me 300 kuajfuqi dhe një model 3.0 litër V6 me 380 kuajfuqi.
Të gjithë këta motorë vijnë me marsh prej tetë shpejtësish, ndërsa modeli 2.0 me 164 kuajfuqi mund të jetë me marsh special prej gjashtë shpejtësish. Kjo makinë do të shpenzojë vetëm 4 litra në 100 kilometra duke u bërë modeli më ekonomik në linjën e re.
Jaguar XF ka teknologji të përsosur. Në sistemin e brendshëm kjo makinë mban një ekran 10.2 inç me procesor quad-core SSD që ofron shpejtësi të jashtëzakonshme. Sistemi i zërimit të kësaj makine ka 17 altoparlantë.
Jaguar XF 2016 do të ketë premierën më 1 prill në New York Auto Show./GExpress