23 Dhjetor 2024

Pasojat e falimentimit të kompanisë Kodak në industrinë e fotografisë

 New York, 31 janar - Falimentimi i firmës Kodak - kompania më e madhe amerikane e filmave fotografikë, pritet të ketë ndikim të gjerë për shumë punonjës të saj dhe fotografë, në mënyrë të veçantë për ata që përdorin filmat fotografikë, letrën dhe produktet kimike që Firma Kodak ka prodhuar qysh prej shekullit të 19-të.

Jim Megargee e krahason veten dhe të tjerë si ai me dinosaurët në prag të zhdukjes. Ai është një fotograf tradicional i cili përballet me rrezikun që teknologjia dixhitale paraqet për traditën e zhvillimit të filmit në laboratorin fotografik.

“Ka një ndryshim fizik midis fotografisë tradicionale dhe asaj dixhitale. Është një ndryshim i vërtetë në procesin fizik që shumë njerëz nuk e mendojnë. Në fotografinë tradicionale imazhi ndodhet i gdhendur në një prej shtresave brenda letrës. Në rastin e shtypjes dixhitale kemi të bëjmë me bojë mbi letër.”

Zoti Megargee thotë se falimentimi i kompanisë Kodak nuk shënon fundin për traditën e zhvillimit të filmit fotografik, të paktën jo për momentin. Ai thotë se ka mjaft pajisje të disponueshme, edhe pse prodhimi i disave është ndërprerë.

“Ajo që ndodh me fotografët kur nuk mund të kenë më një material, si për shembull në rastin kur filmi i tyre i preferuar nuk prodhohet më, është se ata i drejtohen një firme tjetër. Nuk do të jetë i njëjti produkt, por mund të jetë i ngjashëm.”

Por ndërprerja e prodhimit të një artikulli do të thotë se njerëzit që e prodhonin atë humbasin vendin e punës.

Ray Rock punon për kompaninë Kodak në fabrikën e saj kryesore në Roçester të Nju Jorkut dhe ai rrezikon të mbetet i papunë.

“Unë personalisht jam shumë i shqetësuar. Më duhen edhe pak vite për të përfituar të ardhurat nga pensioni, dhe të shohim se çdo të ndodhë.”

Disa analistë thonë se kompania Kodak mund të vazhdojë biznesin e vet duke u përqëndruar tek disa teknologji dixhitale të shpikura nga vetë kjo kompani.

Bruce Upbin është redaktor administrues i revistës Forbes.

“Unë mendoj se Kodaku do të fuksionojë kryesisht si një kompani e pronës intelektuale, pra do të vazhdojë të marrë fitime prej patentave që zotëron për proceset dhe teknologjitë që ka shpikur”.

Fotografi Jim Megarkee thotë se ai mund të krijojë një fotografi artistike në më pak se një orë. Ai bën shaka duke thënë se fotografët që braktisin fotografinë tradicionale për t’u marrë me atë dixitale janë “tradhëtarë”. Megjithatë ai paralajmëron se fotografia dixhitale kërkon më shumë se thjeshtë shtypjen e një butoni.

“Nuk është e jashtëzakonshme të shohësh një person të ulur para një kompjuteri për dy ose tre orë, duke u përpjekur të bëjë të njëjtën gjë.”

Zoti Megargee thotë se të krahasosh fotografinë tradicionale me atë dixhitale është si të krahasosh një pikturë vaji me një me bojëra uji – ato janë të ndryshme. Ky “dinosaur” shpreson që të vazhdojë prodhimi i materialeve tradicionale të fotografisë në mënyrë që edhe vetë të ketë një të ardhme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)