Pacolli pretendon të merr kompetencat mbi Trepçën
Prishtinë, 14 prill - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, vazhdon të këmbëngulë në marrjen e drejtimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Nëpërmjet kësaj ministrie ai pretendon të zbatojë planin ekonomik të prezantuar më 2011, ku përfshihet edhe e ardhmja e ndërmarrjes Trepça.
Me ndërmjetësimin e tij, muajin e kaluar këtë ndërmarrje e kanë vizituar përfaqësues të kompanive britanike.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, kërkon që për ndërmarrjen Trepça të vendoset sipas planit që ai e ka bërë publik gati dy vite më parë.
Sipas planit të tij, Princit të Kentit, Michael, duhet ti jepet e drejta ekzekutive për ta regjistruar gjigantin ekonomik si kompani në Londër. Këtë aset ai kërkonte ta regjistronte edhe në bursën ndërkombëtare, shkruan Koha Ditore.
Ndërmarrja Trepça, sipas planit të Pacollit, do të funksiononte edhe në Kosovë si kompani operacionale, ndërsa tek disa vite më vonë të përfshihet në procesin e privatizimit të pjesshëm.
Pacolli planin e tij e ka aktualizuar edhe këto ditë. Të shtunën e kaluar, tek ka folur për qeverisjen dhe kërkesën e tij për marrjen në menaxhim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ka përmendur planin e tij ekonomik, përfshirë Trepçën dhe Brezovicën.