OPEK, nuk arrihet një marrëveshje për prodhimin e naftës
Vjenë, 9 qershor - Anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës nuk arritën një marrëveshje të re për kuotat e prodhimit në takimin e sotëm në Vienë.
Çmimet e naftës u rritën në bursat e Nju Jorkut dhe të Londrës pas njoftimit. Çmimi i naftës ishte ulur disi në pritshmërinë e një marrëveshje mes vendeve anëtare të OPEC-ut për të rritur prodhimin. Vendet e OPEK-ut nxjerrin rreth 40 përqind të naftës së botës dhe kuotat e organizatës zyrtarisht i kufizojnë anëtarët të prodhojnë pak më pak se 25 milionë fuçi në ditë.
Disa vende anëtare të OPEK-ut kanë thënë se tregjet e enerjgisë ndërkombëtare janë të furnizuara mirë me naftë dhe fajësojnë spekulimet për çmimet e larta sesa sasinë e naftës në treg.
Anëtarë të tjerë të OPEK-ut kanë shprehur shqetësim se çmimet e larta të naftës mund të shkaktojnë një shkatërrim të kërkesës që mund të dëmtojë prodhuesit në se çmimet e larta i nxisin konsumatorët të kursejnë energji ose të kërkojnë burime të tjera.