OEK dhe OEAK themelojnë Komitetin e Industrive të Rënda
Komiteti përfshin ndërmarrjet më të mëdha kosovare nga sektori i industrisë së rëndë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, drejtuesit më të lartë të të dyja odave, Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane theksuan rolin e rëndësishmë që bart sektori i industrisë së rëndë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Poashtu u tha se industria e rëndë është sektor i cili kërkon fuqi intensive punëtore, duke ndihmuar kështu në zvogëlimin e papunësisë në Kosovë, dhe se shembujt e suksesit të privatizimit janë pikërisht në ndërmarrjet e industrisë së rëndë.
Gjatë konferencës u tha gjithashtu se industria e rëndë sot ndodhet në periudhë të vështirë për shkak të pozitës jo të barabartë kundrejt ndërmarrjeve të industrisë së rëndë të vendeve të rajonit, vështirësi kjo e cila konsiston edhe në mungesën e lehtësirave fiskale.
Gërxhaliu dhe Zeka paralajmëruan se problemet e industrisë së rëndë dhe rekomandimet për zgjidhjen e këtyre problemeve do ti prezantohen Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Ndërsa disa prej masave të cilat do të mund të ndërmerreshin nga ana e institucioneve të vendit për të ndihmuar sektorin e industrive të rënda do të përfshinin: krijimin e lehtësirave fiskale përmes zgjerimit të listës së mallrave të liruara nga detyrimet doganore, me ato mallra të cilat kanë përdorim në industrinë e rëndë dhe nuk prodhohen në Kosovë, krijimin e kornizës së duhur ligjore për lehtësimin e operimit të industrive të rënda, duke krijuar kështu parakushte për tërheqjen e më shumë investitorëve të huaj, krijimin e kushteve të nevojshme për tregtimin e mbetjeve industriale, të cilat përveç se do të ndikonin në pastrimin e mjedisit përreth uzinave, do të mund të përdoreshin si burime alternative të energjisë, duke pakësuar kushte edhe karburantet e importuara.