Oda Amerikane kërkon qasje të kujdesshme ndaj Trepçës
Prishtinë, 20 janar - Kompleksi Minerar Trepça që dikur ishte shtyllë e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe udhëheqëse rajonale e sektorit të saj, sot duke qenë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ballafaqohet me një numër problemesh dhe sfidash që kërkojnë vëmendje të menjëhershme, në mënyrë që Trepça të dalë nga kjo gjendje e status quos së padëshirueshme, që ka penguar rritjen e kompanisë, dhe rrjedhimisht zhvillimin e industrisë metalurgjike në Kosovë.
Në vijim të debateve të fundit dhe alternativave të diskutuara në opinionin e gjerë, si dhe duke pasur parasysh kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e problemeve me të cilat ballafaqohet kjo ndërmarrje, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dëshiron të rikujtojë të gjitha palët e interesit, e veçanërisht Qeverinë, mbi nevojën e një qasje të kujdesshme për të ardhmen e këtij gjiganti metalurgjik.
Bazuar në rekomandimet e Komitetit të Industrisë së Rëndë të vitit 2013, Oda Amerikane ka mirëpritur iniciativën për hartimin e Ligjit të Veçantë për Trepçën, me qëllim të qartësimit të statusit ligjor të ndërmarrjes dhe mundësimit të pjesëmarrjes së kapitalit privat në zhvillimin e kapaciteteve.
Derisa është e kuptueshme urgjenca për moslejimin e likuidimit të kësaj ndërmarrje, kjo situatë nuk duhet të ndikojë në veprime të shpejta e të pamatura, që do të rezultonin në mosqartësimin e shumë aspekteve, duke përfshirë edhe detyrimet ndaj kreditorëve potencialë dhe burimet e investimeve të ardhshme.
Duke konsideruar procesin e nisur si tejet të vështirë, Oda Amerikane kërkon një diskutim gjithëpërfshirës me institucionet e tjera kyçe, ekspertët e fushës, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe komunitetin lokal, duke i theksuar përfitimet e ristrukturimit dhe revitalizimit të Trepçës para të gjitha palëve të interesit.
Në ndërkohë, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme mbi Privatizimin duhet të zgjidhë në mënyrë efikase, profesionale dhe objektive të gjitha pretendimet e kreditorëve potencial ndaj Trepçës, por duke pasur në konsideratë periudhën në të cilën janë bërë investimet e pretenduara nga këta kreditorë, e që ishte një periudhë kur vendi ishte në kushte të okupimit klasik, me çrast edhe vendimet e forcave okupuese për asetet publike nuk ishin në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit.
Për të përmbyllur, Oda Amerikane rithekson nevojën urgjente që të adresohet dhe të gjendet një zgjidhje për të ardhmen e Trepçës, e cila në mënyrë prioritare do të synonte rezultatet më të mira dhe përfitimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Oda Amerikane beson se një sektor i fuqishëm dhe stabil metalurgjik mund të luajë rol kyç në adresimin e shumë sfidave tjera me të cilat ballafaqohet shteti jonë, posaçërisht në aspekt të krijimit të vendeve të punës dhe uljes së deficitit të madh tregtar.
Një Ligj i ri i cili i jep Trepçës statusin e Ndërmarrjes Publike do tia mundësonte kësaj ndërmarrjeje daljen nga status quoja e tanishme.