Obama: Amerika duhet të zhvillojë sektorin e prodhimit
Washington, 9 qershor - Presidenti amerikan Barak Obama tha se Amerika mund të \"fitojë të ardhmen\", duke rindërtuar sektorin e saj të prodhimit.
Zoti Obama i bëri komentet sot pas vizitës në një qendër trajnimi për industrinë automobilistike në një kolegj në shtetin Virginia, pranë Uashingtonit.
Ai tha se ritmet e ngadalta të rimëkëmbjes ekonomike kanë lënë shumë amerikanë pa punë, prandaj ai u bëri thirrje ligjvënësve dhe industrive të ndryshme të mbështesin programet që nxisin trajnime të tilla.
Ai tha gjithashtu se bizneset private, grupet e industrisë dhe shkollat duhet të shtojnë përpjekjet për të vendosur lidhje midis punëtorëve të kualifikuar dhe vendeve të punës që presin të plotësohen.
Komentet e tij vijnë pas një sërë raportesh ekonomike që hedhin dyshime në lidhje me rimëkëmbjen ekonomike amerikane.