26 Dhjetor 2024

Nxirren nga “Trepça” 78 mijë tonë xehe

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 30 qershor - Minierat e “Trepçë”-s, ajo e “Stantërgut” dhe “Artanës” i kanë nxjerrë 78 mijë tonë xeherore plumbi dhe zinku, ndërsa nga pasurimi i tyre janë përfituar 6 720 tonë koncentrat plumbi dhe zinku.

Sipas analistëve dhe njohësve të çështjeve ekonomike, suksesi i “Trepçë”-s do të ishte më i madh nëse ajo do të funksiononte si tërësi.

Bislim Muqa, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun dhe Mediet, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se gjatë pesëmujorit të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërmarrja “Trepça” ka rritje të prodhimit për 4 për qind për xeherore dhe 14 për qind më shumë koncentrate plumbi dhe zinku.

“Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë prodhuar 75 mijë tonë xeherore, prej të cilave pas pasurimit, janë përfituar 5 870 tonë koncentrat plumbi e zinku. Shprehur në përqindje, i bie se gjatë këtij pesëmujori kemi rritje prodhimi për 4 % për xeherore dhe 14 % më shumë koncentrat plumbi dhe zinku krahasuar me pesëmujorin e vitit të kaluar”, është shprehur Muqa.

Ai ka bërë me dije se produktet e ndërmarrjes “Trepça” (koncentratet) eksportohen në tregun ndërkombëtar.

“Gjatë këtyre viteve të fundit, nga viti 2009 e deri në vitin 2013, kemi pasur bashkëpunim të mirë me kompaninë e njohur botërore ‘Glencore International AG’ nga Zvicra. Në vitin 2013 kemi pasur bashkëpunim afarist me kompaninë ‘Core Group’ nga Dubai.

Këtë vit tenderin për blerjen e koncentratit të plumbit e ka fituar kompania zvicerane ‘Glencore International AG’, ndërkaq për koncentratin e zinkut kompania bullgare ‘KCM-AD’”, ka treguar Muqa.

Ai ka deklaruar se problemet me të cilat përballet “Trepça” janë po ato të kahershmet.

“‘Trepça’ funksionon e ndarë në dy njësi veri-jug dhe ende nuk është definuar statusi juridik i ndërmarrjes. Janë pastaj problemet sociale, sepse një numër i madh i punëtorëve të ‘Trepçë’-s, të cilët ishin përzënë dhunshëm nga puna në vitet e ’90-ta, nuk kanë mundur ende të kthehen në vendet e tyre të punës.

Mandej është problemi mjedisor, ngase ‘Trepça’, për 8-9 dekada të punës së saj ka shkaktuar edhe dëme të shumta mjedisore, duke degraduar mjedisin”, ka potencuar Muqa.

Ndërkaq sa i përket numrit të punëtorëve, ai ka deklaruar se aktualisht në ndërmarrjen “Trepça” punojnë 1 500 punëtorë dhe, sipas tij, synim dhe preokupim i menaxhmentit të kësaj ndërmarrje është rritja e numrit të punëtorëve dhe prodhimit.

“Duhet theksuar se ndërmarrja ndodhet në proces të ristrukturimit të saj, prandaj ky proces do të varet shumë nga vëmendja që do t’i kushtojnë institucionet relevante të Republikës së Kosovës, që janë kompetente për të marrë vendime për fatin e ‘Trepçë’-s”, ka thënë Muqa.

Sa i përket planifikimit vjetor të prodhimit, ai ka bërë me dije se për këtë vit është planifikuar që nga dy minierat e “Trepçë”-s, të cilat janë në punë, të nxirren rreth 200 mijë tonë xeherore plumbi dhe zinku.

 

Muqa ka treguar se ka një bashkëpunim me njësinë e “Trepçë”-s në veri por, sipas tij, nuk është i mjaftueshëm. “Ka një bashkëpunim me njësinë e “Trepçës” në veri, por për hir të së vërtetës duhet theksuar se nuk është i mjaftueshëm”, ka deklaruar Muqa.

Qeveria e Kosovës s’do ta ketë të lehtë zgjidhjen e problemeve të “Trepçë”-s

Shahini konteston planifikimin e “Trepçë”-s


Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se i vetmi shpëtim që e ngre ekonominë e Kosovës është prodhimtaria vendore, sidomos ato prodhime që kanë destinacion eksportin.

 

“Rritja e prodhimit të xeheve në ‘Trepçë’ është një lajm i mirë. Ne duhet t’i shikojmë mundësitë që kjo mos të jetë vetëm 4 për qind, por në të ardhmen të jetë 10 apo 20 për qind”, ka thënë Shahini.

Duke shtuar se sikur këto xehe të përpunoheshin në Kosovë si produkt final dhe më pas të eksportoheshin, do të kishte vlerë më të larta financiare dhe profitet financiare do të ishin më të larta për vendin.

Shahini ka kontestuar planifikimin e “Trepçë”-s, që brenda këtij viti nga dy minierat e saj, të cilat janë në punë, të nxirren rreth 200 mijë tonë xeherore plumbi dhe zinku. “Parashikimet e tyre mund të jenë shumë ambicioze, por 200 mijë tonë xehe janë shifra tejet të larta.

‘Trepça’ është një kompleks, i cili shtrihet në tërë veriun dhe jugun e Mitrovicës dhe për këtë duhet të gjenden mundësi dhe forma që të trajtohet si një operator ekonomik i përbashkët dhe assesi ndryshe, sepse edhe në fillim kur është projektuar, është planifikuar të funksionojë kështu siç është dhe jo e ndarë”, ka deklaruar Shahini.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)