Një qytet në SHBA përfiton nga industria kanadeze e naftës
Indiana, 29 dhjetor - Është vështirë të shikosh shenja të papunësisë së lartë dhe të vështirësive ekonomike nëpër rrugët e qytetit Whiting të Indianës.
Banori i këtij qyteti Brian Lowry thotë se ky është rezultat i faktit që Whiting është përfitues i një prej projekteve më të mëdha të kompanisë BP në Amerikën Veriore, rinovimi i rafinerisë Whiting.
Falë këtij investimi, më i madhi në historinë e shtetit të Indianës, ne i kemi shpëtuar krizës ekonomike.
BP do të shpenzojë rreth 3.8 miliardë dollarë për të rritur kapacitetin e rafinerisë për të përpunuar naftën, që vjen nga zonat bregdetare të Albertës në Kanada. Ai thotë:
Modernizimi i rafinerisë prej 4 miliardë dollarësh po i jep me të vëretë një shtytje ekonomisë së Indianës në përgjithësi.
Brad Etlin thotë: Aktualisht ne kemi rreth 8,000 punëtorë në këtë qendër, rreth 6,000 kontraktorë dhe rreth 2,000 punonjës të rregullt.
Brad është drejtori lokal i BP-së për çështjet qeveritare e ato publike. Ai thotë:
Mijëra njerëz në këtë qytet shpenzojnë çdo ditë në dyqanet dhe restorantet lokale. Dhe kjo sjell përfitime të mëdha për qytetet dhe komunitetet lokale. Kur projektit të përfundojë, do të ketë një shtim të ndjeshëm të të ardhurave nga taksat për disa bashki lokale.
Megjithëse shumica e njerëzve që jetojnë pranë rafinerisë do të përfitojnë prej saj, jo të gjithë janë të kënaqur nga fakti që më shumë naftë do të kalojë nëpër këtë rafineri.
A do të ketë rënie të çmimit të karburantit? Nuk mendoj se kjo do të ndodhë.- pyet Steve Kozel i cili është president i Projektit Calumet, një grup qytetar, që ai thotë se kërkon drejtësi shoqërore, ekonomike dhe ambientaliste.
Ky grup ka kundërshtuar disa prej lejeve të BP-së për mjedisin të marra nga shteti i Indianës, duke cituar shqetësimet rreth ndotjes së mjedisit afër qendrës së rafinerisë dhe Liqenit të Miçiganit si pasojë e shtimit të përpunimit të naftës.
Shqetësimi ynë lidhet direkt me ndotjen e ajrit. Sulfuri do të rritet me 20 për qind, plumbi me 25 për qind dhe këto janë rritje të ndjeshme. - thotë ai
Brad Etlin i firmës BP thotë se disa prej fondeve të modernizimit të projektit do të shpenzohen për uljen e ndotjeve që prodhon rafineria.
Ne do të investojmë më shumë se 1 miliardë dollarë për mjedisin, si në uzinat e trajtimit të ujit të mbetur ashtu edhe në pjesë të tjera të rafinerisë.
Banori Brian Lowry thotë se deri tani nuk ka parë ndonjë ndikim negativ.
Fëmijët e mi notojnë në ujrat e këtushëm. Me siguri që marrin frymë dhe nuk kemi ndonjë problem. Pra nuk mendoj se kemi ndonjë shqetësim rreth çështjeve të mjesidisit.
Rreth 2 të tretat e rinovimit të rafinerisë Whiting, e cila prodhon rreth 405 mijë fuçi nafte në ditë, ka përfunduar. BP thotë se projekti i modernizimit, i cili filloi në vitin 2008, duhet të përfundojë në vitin 2013.
/voa/