24 Dhjetor 2024

Nisin punimet në rrjetin e ujësjellësit për 11 fshatra të Ferizajt

Prishtinë, 7 maj - Në fshatin Sazli të Komunës së Ferizaj sot është bërë inaugurimi i fillimit të punimeve për instalimin e rrjetit të ujësjellësit për 11 fshatra si dhe hapjen e puseve të reja për këtë ujësjellës, në të cilin morën pjesë Zëvendësministri i Zvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani, kryetari komunës Agim Aliu, deputeti nga kjo komunë, Elmi Reçica dhe përfaqësues të kompanisë implementuese.

Zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani duke përshëndetur këtë iniciativë jashtëzakonisht të mirë për këto 11 fshatra, ka thënë se Qeveria po angazhohet maksimalisht që problemet si çështja e ujit, e kanalizimeve të eliminohen dalëngadalë, në mënyrë që  qytetarët të kenë një mirëqenie, të kenë atë që është më elementare.
 
“Unë falënderoj Qeverinë zvicerane e cila po bën shumë në komunën e Ferizajt dhe komunat fqinje për të zgjidhur problemet me ujin”, tha Hasani duke premtuar mbështetjen e vazhdueshme të MZHE-së për realizimin e projekteve të tilla.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Ferizajt,  Agim Aliu vlerësoi se inaugurimi i punimeve është një ditë e veçantë për banorët e 11 fshatrave të këtij rajoni (Sazli, Pojatë, Prelez i Jerlive, Prelez i Muhaxherëve, Surqinë, Bablak, Rahovicë, Mirosalë, Papaz dhe Softaj).

Ai tha se ky projekt është një bashkëinvestim që bëhen nga Komuna e Ferizajt së bashku me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe me Qeverinë zvicerane, që ka për qëllim instalimin e rrjetit të ujësjellësit si dhe hapjen e puseve të reja për këtë ujësjellës, vlera e të cilit është 1.5 milion euro.

“Këto fshatra do të pajisen me sistem të ujësjellësit dhe me puse të reja dhe praktikisht ky është  një vend që përveç që do të ketë ujë të bollshëm, do të ketë edhe ujë kualitativ. Ne si komunë jemi të gëzuar që kemi gjetur si donatorë Qeverinë e  Kosovës dhe Qeverinë zvicerane, që është një donator i përhershëm”, tha Aliu.

Ai ka bërë të ditur se me Qeverinë zvicerane, komuna është duke e përfunduar një projekt shumë  të rëndësishëm për qytetin e Ferizajt, ndërtimin e rrugës “Rexhep Bislimi” që ka vlerën prej 7 milionë euro, e kjo është dëshmia më  mirë se Komuna e Ferizajt për çdo ditë e më tepër është duke bërë investime të mëdha dhe të rëndësishme me shuma milionëshe.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga kjo komunë, Elmi Reçica tha se po të mos ishte puna e mirë dhe efikase e qeverisë lokale, Qeverisë së Kosovës dhe MZHE-së, si dhe të gjithë atyre që janë duke u marr me këto angazhime nuk do të ndodhnin të gjitha këto investime, të cilat po shihen çdo ditë.

Sipas tij, kjo që po fillon të bëhet sot do të jetë një nga investimet shumë të rëndësishme që i ka bërë Qeveria zvicerane këtu dhe që do të vazhdojë edhe në të ardhmen .    

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)