Nis fushata unë jam Made in Kosova
Prishtinë, 4 maj - Sonte në një mbrëmje gala, Klubi i Prodhuesve të Kosovës nis fushatën promovuese me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e prodhimeve vendore për ekonominë e një vendi.
Kjo ngjarje e organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka për qëllim të bëhet një ngjarje tradicionale ku do të njihen meritat e prodhuesve vendorë.
Në këtë mbrëmje do të bëhet edhe lansimi i videos promovuese Made In Kosova, e cila është pjesë integrale e kësaj fushate dhe për të cilën kanë kontribuar disa nga personalitetet më të arrira kosovara. Gjatë kësaj nate Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të ndan edhe çmimet Zemra e Kosovës për shumë akterë relevantë të cilët për vite me radhë kanë punuar për promovimin e prodhimeve vendore. Po ashtu do të shtrohet darka me prodhime vendore nën tingujt e muzikës kënduar nga artistë e njohur kosovarë.
Në kohën kur Kosova po merr lajme të mira nga arena ndërkombëtare dhe gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë e familjes së shteteve të botës, prodhuesit vendorë luajnë një rol të pakontestueshëm në ekonomi dhe kjo ngjarje është vetëm një shënim i këtij roli, si dhe zotim për të punuar edhe më shumë në të ardhmen, u shpreh me këtë rast drejtori ekzekutiv i KPK-s, Astrit Panxha. Ngjarja mbahet sot në ora 19:00 në Hotelin Emerald. Pjesëmarrës do të jenë përfaqësuesit më lartë institucionalë, përfaqësues të misioneve diplomatike, nga media, kultura, të OJQ-ve si dhe përfaqësues nga biznesi.