06 Dhjetor 2024

Nënshkruhet një Memorandum për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës

Prishtinë, 12 dhjetor - Nën ombrellën e projektit të financuar nga BE-ja dhe Gjermania, i cili punon drejt zhvillimit të një sistemi të përbashkët të menaxhimit të mbeturinave për rajonin e Prishtinës, kryetarët e komunave të Fushë Kosovës, Gllogocit, Graçanicës, Obiliqit, Podujevës, dhe Prishtinës, nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit (MM) përmes së cilit do të fillojë bashkëpunimi i tyre në këtë drejtim.

Në harmoni me direktivat përkatëse të BE-së dhe ligjet e Kosovës, komunat do të punojnë më tutje për të zhvilluar një Plan Ndërkomunal të Menaxhimi të Integruar të Mbeturinave (PNKMIM) dhe një Marrëveshje për Bashkëpunim Ndërkomunal (MBNK) për punë të përbashkët në sektorin e menaxhimit të mbeturinave.

Zbatimi i planit ndërkomunal të menaxhimit të integruar të mbeturinave do të jetë hapi i radhës drejt krijimit të sistemit të menaxhimit të integruar të mbeturinave, i cili filloi me projektin aktual nga BE-ja dhe Gjermania për ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta në rajon, me vlerë 35 milionë euro.

“Zbatimi i Strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Kosovë për periudhën 2021-2030 është prioritet për Ministrinë, dhe komunat janë partnerët tanë lokalë në këtë përpjekje”, tha Linda Çavdarbasha, zëvendësministre e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Përmes një qasjeje ndërkomunale, ne synojmë t'i adresojmë nevojat e komunave për mbështetje në krijimin e një sistemi të menaxhimit të integruar të mbeturinave në përputhje me objektivat tona, legjislacionin kombëtar dhe standardet evropiane.”

Sistemi modern i menaxhimit të integruar të mbeturinave duhet të fokusohet në reduktimin, riciklimin dhe rishfrytëzimin e mbeturinave.

“BE-ja në Kosovë do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e sistemit të menaxhimit të integruar të mbeturinave, i cili do të ndihmojë në mbrojtjen e mjedisit, dhe do ta bëjë ekonominë qarkore realitet në Kosovë. Zhvillimi i këtij sistemi do të kontribuojë gjithashtu në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në Kosovë”, tha Alessandro Bianciardi, Zëvendës Shef i Bashkëpunimit i BE-së në Kosovë.

Për t'i mbështetur reformat e ndërlidhura në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, BE-ja së bashku me Qeverinë Gjermane financojnë me 19 milion euro projektet e zbatuara nga GIZ-i, për zhvillimin e politikave dhe legjislacionit të duhur për menaxhimin e mbeturinave, marrëveshjeve të planifikimit dhe bashkëpunimit për menaxhimin ndërkomunal të integruar të mbeturinave, ngritjen e kapaciteteve në nivel qendror dhe lokal, futjen e ekonomisë qarkore dhe zbatimin e projekteve prioritare investuese.  

“Ky Memorandum i Mirëkuptimit do të vendosë themelin për zhvillimin e ekonomisë qarkore si model i prodhimit dhe konsumit,” tha Stefan Mager, Menaxher i Projektit nga GIZ.

“Ne dhe partnerët tanë jemi të përkushtuar për të arritur sukses të qëndrueshëm në aspektin e politikës, sistemeve, shërbimeve dhe teknologjisë së menaxhimit të mbeturinave.”

Që nga viti 2015, BE-ja ka investuar mbi 16 milionë euro në sektorin e menaxhimit të mbeturinave dhe ka ndarë 35 milionë euro të tjera për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe ekonomisë qarkore në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)