Nabucco ndoshta bëhet gati më 2018-n
Bruksel, 28 mars - Gazsjellësi Nabucco, i cili mbështetet nga Bashkimi Europian, ka shumë gjasa që të mos jetë gati për tu përdorur deri në vitin 2018, deklaroi Komisioneri Europian për Energjinë, Guenther Oettinger, por kjo deklaratë u përgënjeshtrua nga konsorciumi i kompanive që kanë marrë përsipër ndërtimin.
Shpresoj që vendimi final të merret brenda këtij viti, deklaroi Oettinger për median gjermane. Por Konsorciumi Nabucco reagoi menjëherë, duke thënë se plani fillestar nuk ka ndryshuar.
Plani është që gazsjellësi të vihet në punë në vitin 2014, deklaroi konsorciumi, i cili përbëhet nga gjashtë kompani me pjesë të barabarta aksionesh, Rew nga Gjermania, Botas e Turqisë, kompania energjetike e Bullgarisë, Transgaz e Rumanisë, Mol e Hungarisë dhe OMV e Austrisë. Duhet të jetë një keqkuptim, sepse plani ynë është që më 2018-n ky gazsjellës të arrijë kapacitetin maksimal, shtoi konsorciumi.
Gazsjellësi me gjatësi 3300 kilometra do të lidhë vendet e Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme me Europën përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë. Ai parashikohet të transportojë 31 miliardë metra kub gaz në vit. Kostoja e përgjithshme parashikohet të arrijë në 7.9 miliardë euro.
Një degë e këtij gazsjellësi mendohet se do të kalojë për në Shqipëri, për të arritur Italinë, ndërsa një ide tjetër është që degazifikatori shqiptar që parashikohet të ndërtohet në Seman, të përdoret për furnizimin e Nabucco-s me gaz, që fillimisht do të importohet në formë të lëngët nga Katari.
Gazi është një burim i lirë energjie dhe vendet që lidhen me rrjetet rajonale të shpërndarjes zakonisht përjetojnë zhvillim të shpejtë ekonomik.