23 Dhjetor 2024

Mustafa: Uji, parakusht themelor për zhvillim të qëndrueshëm

Prishtinë, 22 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Ujit organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa theksoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar në këtë sferë si një prej sferave më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, social, shëndetësor dhe të mirëqenies së qytetarëve.

“Uji është parakushti themelor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, është faktori kyç i mirëqenies dhe i uljes së varfërisë, i përmirësimit të gjendjes socio-ekonomike, gjendjes shëndetësore të popullatës. Prandaj, për ne është me prioritet që të investojmë në fushën e ujit, të kujdesemi për shfrytëzimin racional të ujit, për mbrojtjen e lumenjve dhe burimeve të ujit, për menaxhimin sa më të mirë të sistemit të ujërave, si të ujit të pijes, të ujit industrial dhe të ujit për ujitje”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa falënderoi partnerët gjermanë, zviceranë, suedezë, holandezë, francezë dhe Bashkimin Evropian, që kanë punuar me Qeverinë e Kosovës, në projekte të ndryshme, duke nisur nga qeverisja korporative në menaxhimin e ujit, deri tek trajtimi i ujërave të zeza.

“Qeveria Gjermane, Qeveria Zvicerane, pastaj investimet që ka bërë Kosova përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë mundësuar që ne të trajtojmë deri më tani ujërat e zeza në Prizren, Pejë dhe Gjakovë. Kemi siguruar 66 milionë euro me marrëveshjen që e kemi bërë me Francën, për të trajtuar ujërat e zeza në Prishtinë dhe në regjionin e Prishtinës. Janë përfunduar studimet e fizibilitetit edhe për qendrat tjera, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën dhe duhet të punojmë sa më shpejt që edhe në këto qendra të zgjidhim këtë problem”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, përmendi vullnetin e institucioneve dhe donatorëve për të mbajtur këtë sektor si prioritet, por edhe vetëdijen shoqërore, që po bënë shfrytëzimi racional i ujit.

“Unë mendoj se ekziston një vullnet i përgjithshëm, ekziston një vetëdije e madhe në këtë fushë, ekziston edhe një punë mjaft efikase dhe e përkushtuar e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në menaxhimin e burimeve të ujit, dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në menaxhimin e shërbimeve që ofron uji, por po ashtu ekziston edhe vetëdije shoqërore e cila secilën ditë po ngrihet sa i përket trajtimit të ujit, sa i përket menaxhimit të ujit, sa i përket shfrytëzimit të tij racional dhe sa i përket sigurimit të tij për të ardhmen e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, përmendi fabrikat e ujit të pijes në Shkabaj dhe Badovc, si projekte milionëshe me rëndësi jetike dhe foli për projekte tjera që kjo Ministri po mbështet në komuna për rregullimin e ujësjellësve dhe kanalizimeve.

“Kemi shënuar rezultate konkrete edhe në mbrojtjen dhe rehabilitimin e shtretërve të lumenjve, dhjetëra projekte janë kryer gjatë vitit të kaluar ndërsa në proces janë edhe dhjetëra projekte tjera për rregullimin e shtratit të lumenjve përgjatë territorit të vendit. Po kështu, kur flasim për projekte në infrastrukturën e ujërave, duhet të përmendim angazhimet, aktivitetet dhe projektet që kanë filluar me planifikimin e akumulacioneve të reja të ujit të pijes dhe për ujitje”, tha ministri Shala.

Përveç hartimit dhe afrimit të kornizës ligjore me direktivat evropiane, ministri Shala bëri të ditur se sivjet do të hartohet edhe Strategjia Shtetërore e Ujërave, si dhe do të themelohet Autoriteti Rregullator i Pellgjeve Lumore, që do të funksionoj në kuadër të Ministrisë dhe i cili do të përmirësojë menaxhimin e pellgjeve lumore.

Drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Patrick Etienne, shprehu përkushtimin e Qeverisë së tij për të investuar edhe më shumë në këtë sektor.

“Kemi investuar rreth 70 milionë euro deri më tani. Në katër vitet e ardhshme do të investojmë edhe 30 milionë euro të përqendruara në menaxhimin e burimeve të ujit dhe ndërhyrjet në ripërtëritjet e dëmeve nga ndryshimet klimatike. Pra, sektori i ujit do të mbetet sektor kyç në programin tonë të zhvillimit”, tha Etienne.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)