Musk tërhiqet nga plani për privatizimin e Teslës
New York, 25 gusht - Vetëm dy javë pasi njoftoi se po merrte në konsideratë një marrëveshje për të privatizuar prodhuesin e makinave elektrike Tesla, shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Elon Musk ka hequr dorë nga ky plan.
Plani është anuluar pas një takimit të bordit drejtues gjatë së enjtes, ndërsa lajmi është mësuar pasi është publikuar në faqen zyrtare të kompanisë. Që pasi njoftoi planin për ta hequr nga bursa Teslën, aksionet e saj ranë me afro 20 për qind.
Musk tha më pas se i kishte shpjeguar bordit drejtues se, besonte që rruga më e mirë për t’u përvijuar për Teslën ishte të mbeturit një kompani publike, e me këtë sugjerim ranë dakord të gjithë.
Musk, i cili zotëron një të pestën e aksioneve të kompanisë, tha se kishte folur me aksionerët dhe bankat më të mëdha për të konsideruar privatizimin, por të gjithë arritën të kuptonin se gjëja më e mirë ishte të mos ndodhte kjo.
Më herët gjatë këtij muaji, Elon Musk tronditi investitorët kur njoftoi në “Twitter” se kishte fondet e mjaftueshme për ta privatizuar Teslën për një vlerë prej 72 miliardë dollarësh. Më vonë u mësua se ai nuk kishte arritur të përmbyllte një marrëveshje me fondin e pasurisë sovrane të Arabisë Saudite, ndërsa investitorët e pakënaqur ngritën edhe një padi ndaj tij, pas lajmit.
Padia ndaj tij vijon, pavarësisht anulimit të planit të Musk për privatizimin e kompanisë, pasi hetuesit e Komisionit të Letrave me vlerë dhe Këmbimit në SHBA duan të shohin nëse “cicërima” në “Twitter” kishte shkelur ligjet për letrat me vlerë.
Tesla është përballur me presione gjithnjë e në rritje financiare këtë vit, teksa projekton të prodhojë më shumë automjete të “Modelit 3”. Më 1 gusht, ndërkohë që Tesla raportoi një tjetër humbje rekord, Musk tha se priste që kompania të dilte me fitim në gjysmën e dytë të vitit 2018, e në çdo tremujor në vijim. Por, kjo vështirë se mund të ndodhë.