MMPH nuk ka lëshuar leje për operatorët në Mitrovicë
Mitrovicë, 26 korrik - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të komunës së Mitrovicës Agim Bahtirit, kinse dy operatorët \"BTP HOLDING\" dhe \"BAS PARTNERS\" janë të pajisur me leje mjedisore nga MMPH.
\"Ju vejmë në dijeni se operatorët në fjalë nuk janë të pajisur me leje mjedisore, por pasi janë të pajisur me pëlqime komunale nga Komuna e Mitrovicës për vendosjen e objekteve në këto dy lokacione, konform normativave ligjore edhe nga MMPH janë pajisur me pëlqime mjedisore\", thuhet në një kumtesë të MMPH-së.
Pëlqimi mjedisor nuk është leje mjedisore por është pëlqim paraprak dhe kusht për marrjen e lejes ndërtimore nga komuna dhe plotësimin e kritereve për leje mjedisore, që do të thotë se operatorët në fjalë nuk posedojnë leje nga MMPH.
Ministria njofton se në ndërkohë operatori BTP HOLDING ka bërë kërkesë në MMPH për dislokim të aktivitetit. \"Ndërsa ndaj BAS PARTNERS Inspektorati i MMPH me datë 27.03.2017 ka nxjerrë aktvendim për ndërprerjen e aktivitetit të punës në fazën e testimit të pajisjeve dhe për çdo testim të tyre, paraprakisht është i obliguar të njoftoj organet komunale dhe organet e MMPH-së\", thuhet në kumtesë.
MMPH njofton se në vazhdimësi ka qenë në kontakt me zyrtarët kompetent të Komunës së Mitrovicës dhe çdo herë është përgjigjur sipas kërkesave të qytetareve dhe organeve komunale të Mitrovicës, lidhur aktivitetin e operatoreve në fjalë.
Po ashtu Inspektorati i MMPH-së ka kryer inspektime te përbashkëta me Inspektoratin e Komunës së Mitrovicës në objektet e të dy operatoreve me 13 korrik 2017.
Ndërsa sot Inspektorati i MMPH-së së bashku me kryetarin, nënkryetarin dhe zyrtarët e Komunës së Mitrovicës ka inspektuar dy operatorët me çrast janë shqiptuar masat siq janë: vendimet për mos zhvillim të aktivitetit janë në fuqi, në afat shtat ditor të paraqesin raport në MMPH për rezervat e vajrave të cilat i kanë të deponuara për trajtim si dhe origjinën e tyre, derisa zyrtarët komunalë do ta vëzhgojnë për së afërmi nëse zhvillohet aktivitet nga këta dy operatorë, do të merren masa konkrete konform dispozitave ligjore.