MMPH: Askush nuk ka leje për nxjerrje të zhavorit nga lumenjtë
Prishtinë, 20 janar - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka bërë të ditur se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë operator të licencuar për nxjerrjen e rërës nga lumenjtë.
Të gjitha kompanitë që kanë nxjerrë rërë nga lumenjtë sipas MMPH-së kanë qenë dhe janë ilegale.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) do të vazhdojnë me konfiskimin e pajisjeve të të gjithë operatorëve që hasen duke punuar dhe bien ndesh me Ligjin 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet dhe ligjet e tjera në fuqi në Kosovë.
Aktvendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës i datës 16 Janar 2012, përkohësisht pezullon ekzekutimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës nr 02/46, të marrë me 2 Nëntor 2011. Megjithatë, ky aktvendim nuk i shfuqizon ligjet e tjera që e rregullojnë këtë veprimtari.
KPMM ka pezulluar lejet e shfrytëzimit dhe MMPH ka pezulluar pëlqimet mjedisore për të gjithë operatorët. Arsyetimi në të gjitha rastet ka qenë i njëjtë; operimi ilegal, mosplotësimi i kushteve të licencës, mosrespektimi i obligimeve të raportimit, mospagesa e rentës minerare në pajim me ligjin, etj.
Prandaj, pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, këto kompani nuk kanë të drejtë të operojnë pa eliminimin e vërejtjeve të shqiptuara në vendimin e lëshuar nga KPMM për pezullim të licencës.
Qeveria tashmë ka ushtruar ankesën sipas afatit të paraparë ligjor, duke i ofruar Gjykatës Supreme të Kosovës tërë dëshmitë për degradimin e egër të lumenjëve dhe hapësirave rreth tyre.
MMPH dhe KPMM, pavarësisht aktvendimit të Gjykatës Supreme, dhe konform kompetencave ligjore, janë të vendosura që edhe më tutje të vazhdojnë aktivitetin në mbrojtje të lumenjëve të Kosovës.
Inspektoratet tona, si deri më tani, do të jenë në vazhdimësi në terren për të inspektuar zbatueshmërinë e ligjit.