Mitrovica, së shpejti me rregullore për menaxhim të mbeturinave
Prishtinë, 30 mars - Përveç punëve të përditshme, Drejtoria për Mbrojtjen e Mjedisit, aktualisht është duke punuar edhe në revidimin e Planit Lokal për Menaxhim të Mbeturinave, në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ. Revidimi i planit do të pasojë me hartimin e Rregullores për Menaxhim të Mbeturinave, e cila synohet të jetë e gatshme në muajin prill.
Jemi duke punuar në revidimin e Planit Lokal për Menaxhim të Mbeturinave, me mbështetje të organizatës gjermane GIZ. Ky proces po bëhet me qëllim të ngritjes së vetëdijes të popullatës për një menaxhim më të mirë të mbeturinave, ofrimin e shërbimeve sa më efikase për banorët e kësaj komune, krijimin e një data-baze për viset rurale, procese këto që presim të ngritin edhe nivelin e inkasimit të mjeteve për menaxhimin e mbeturinave, tha drejtori për mbrojtje dhe mjedis, Enver Uka.
Ky proces, sipas tij, do të ndikoj edhe në menaxhim më të mirë të grumbullimit dhe deponimit të mbeturinave, ndërkaq pritet të finalizohet me hartimin e Rregullores Komunale për Menaxhim të Mbeturinave, e cila do të jetë e gatshme në muajin prill.
Gjatë muajit që vjen, janë planifikuar edhe aktivitetet të tjera nga kjo drejtori. Në prill do të filloj edhe realizimi i projektit për pyllëzim të viseve rurale i cili do të zhvillohet në rajonin Shalës së Bajgorës.
Në bashkëpunim me Agjencinë e Pylltarisë së Kosovës, në muajin prill do të fillojmë implementimin e projektit për mbjelljen e 50 hektarëve fidanë në rajonin e Barelit në Shalë të Bajgores. Projekti do të zgjas 45 ditë, me çrast do të ketë edhe punësim sezonal për 28 persona, tha Uka.
Sipas tij, pas realizimit të këtij projekti, do të fillohet me implementimin e projektit tjetër për pastrimin e pyjeve, i cili do të zgjasë dy muaj. Kjo është një mundësi e mirë që përmes punësimit sezonal tu ndihmohet rasteve sociale që janë të aftë për punë, në mënyrë që sado pak të ndikohet në përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike.