Ministrja Bajrami premton përkrahje për sektorin prodhues
Prishtinë, 10 korrik - Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, priti në takim përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Bashkim Osmani. Në takim u diskutua për situatën ekonomike në vend si dhe për politikat e Qeverisë së Kosovës për nxitjen e prodhimit vendor.
Ministrja Bajrami bëri të ditur se Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim në adresimin e sfidave ekonomike, dhe në këtë kuadër, Qeveria ka paraparë një sërë masash që synojnë nxitjen e aktivitetit prodhues në vendin tonë, nënvizoi ajo.
Ministrja Bajrami potencoi se vendimi i djeshëm i Qeverisë Hoti për uljen e normës së tatimit të akcizës në lëngje është veprim që ilustron përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e prodhimit vendas.
Znj. Bajrami shtoi se ne do të vazhdojmë ta përkrahim sektorin prodhues me masa nxitëse duke qenë të vetëdijshëm që rritja e aktivitetit prodhues ndikon në krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e bilancit tregtar dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës falënderuan Ministren Bajrami për përkrahjen e prodhuesve vendorë, e sidomos për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës në lëngje, vendim ky që i ndihmon prodhuesit vendorë në këtë kohë të përpjekjeve të gjithmbarshme për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.