Mineralet e rralla të nëntokës janë tepër të kërkuara në treg
New York, 10 prill - Telefonat celularë, kompjuterat tabletë, lojërat elektronike, përfshirë një numër pajisjesh të rëndësishme ushtarake, përmbajnë pjesë prej një grupi të rrallë mineralesh, të quajtura rare earths, minerale të rralla të tokës.
Nëse kujtojmë Tabelën periodike të Elementëve nga lënda e kimisë në shkollën e mesme, termi rare earths, elementë të rrallë të tokës, i referohet një grupi prej 17 elementesh të Tabelës së Mendelejevit, (me numër atomik nga 57 deri në 71), të cilat njihen si lanthanide.
Ato kanë karakteristika të ngjashme metalike, por veti të ndryshme nga metalet e tjera. Kjo është pikërisht arsyeja përse ato janë me kaq vlerë.
Por sa të rralla janë ato dhe përse quhen minerale të tokës? Për të mësuar përgjigjen e kësaj pyetjeje biseduam me Xhefri Post, i cili merret me studime gjeologjike në Muzeun Kombëtar të Historisë Natyrore në Qendrën Muzeale Smithsonian. Ai thotë:
Termi të rralla nuk është përdorur siç duhet, më mirë do ishte të përdorhej fjala të fshehura, sepse këto elemente të rralla gjinden, në shumicën e rasteve, në koren e Tokës.
Studjuesi Xhefri Post thotë se shumë elemente të rralla të tokës aktualisht janë po aq të zakonshme sa edhe nikeli, bakri, apo zinku, por ato gjenden në rezerva shumë të vogla. Vetëm në pak vende të botës, proceset natyrale kanë rezultuar në përqëndrimin sasior të këtyre elementëve. Pra, të rrallanë fakt do të thotë se nuk ka shumë prej tyre në një vend të caktuar.
Megjithatë, mineralet e rralla të Tokës janë bërë një artikull tepër i kërkuar në tregjet ndërkombëtare dhe çmimet për disa prej tyre janë duke u rritur me shpejtësi. Sipas faqes kompjuterike mineralprices.com, dhjetorin e kaluar, një kilogram itrium kushtonte 82 dollarë, ndërsa tani ai kushton 200 dollarë. Di-sprosium-i kushtonte 700 dollarë për kilogram dhe tani ai kushton 1 mijë dollarë. Jeff Post thotë se në epokën tonë elektronike, shumë pajisje të përditshme përmbajnë metale të rralla të tokës.
Imazhet me ngjyrë që shohim në ekranet e televizionëve të teknologjisë së fundit, në ato të kompjuterave, në shumë raste fosfori që ato përmbajnë, bazohet tek elementet e rralla të tokës. Shumë nga komponentët elektronikë në miniaturë, pjesëza më të vogla, të nevojshme për funksionumin e celularëve të vegjël, kompjuterave të vegjël, kanë në përbërje elementëve të rrallë të tokës. Bateritë, magnetet që përdoren në këto pajisje, përsëri përbëhen nga elementë e rrallë të tokës.
Ka disa zona në botë, ku proceset gjeologjike natyrore krijuan depozita mineralesh që përmbajnë sasi të madhe elementesh të rrallë në formë kristaline. Ndërsa çmimet e metaleve të rralla të tokës rriten, është me përfitim nxjerrja e mineraleve që përmbajnë, qoftë edhe përqindje të vogël nga këto metale.
Psh. një minierë hekuri në zonën e Mongolisë në Kinë, është bërë miniera më e madhe e botës për elementët e rrallë të tokës, që realizon deri në 90 për qind të prodhimit në shkallë botërore. Jeff Post thotë se ndarja e këtyre metaleve nga minerale të tjera është një process i ndërlikuar.
Realizohet një proces kimik i specializuar për nxjerrjen e elemtënëve të rrallë jo vetëm nga xeherorët, por edhe ndarjen nga njëri tjetri. Thuajse çdo element xeheror si ky, përmban jo vetëm një element të rrallë, por zakonisht një sasi të caktuar nga të gjithë elementët e rrallë të tokës.
Elementët e rrallë të tokës kanë veti kimike tepër të ngjashme, prandaj që ti ndash ato nga njëri tjetri është një operacion kompleks. Gjeologët nëpër botë kërkojnë vazhdimisht për depozita të reja të këtyre mineraleve të vlefshme. Në një njëjtën kohë, po shtohet edhe interesi në riciklimin e elementëve nga mbetejet elektronike.