Minatorët e Trepçës në grevë
Prishtinë, 20 janar - Minatorët e kombinatit Trepça kanë hyrë në grevë që nga mëngjesi i sotëm, bëjnë të ditur zyrtarët e këtij kombinati.
Rreth 250 minatorë janë duke qëndruar në horizontin e 10-të në minierën e Stantërgut.
Sebahate Fetahu, asistente e drejtorit të Trepçës, Ahmet Tmava, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të gjithë punëtorët e këtij kombinati janë në grevë.
Minatorët duan sqarim për projektligjin që është shtyrë dhe duan sqarim për fatin e Trepçës. Për momentin, deri më tash, askush nga qeveria nuk ka shkuar aty dhe as qe ka lajmëruar për një gjë të tillë, ka theksuar Fetahu.
Ajo ka shtuar se minatorët u kanë thënë drejtuesve të Trepçës se derisa të merret ndonjë vendim prej qeverisë, grevën nuk do ta ndalin.